Një konflikt për motive të dobëta ka ndodhur mes disa adoleshentësh në afërsi të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, në lagjen 10 të qytetit të Korçës.

16-vjeçari, i cili mbeti i plagosur pas sherrit ka dëshmuar para policisë se sapo ka dalë nga shkolla 3 persona i janë afruar me makinë duke e ofenduar dhe më pas dy prej tyre e kanë sulmuar.

Ai tregoi se një prej tyre nxori thikën, por ai u mbrojt, por megjithatë u dëmtua në fytyrë.

“Sa dola nga shkolla dhe do ikja në shtëpi. Më vijnë me makinë tre persona, të cilët po hidhnin fjalë fyese e më pas dy prej tyre dolën dhe më sulmuan. Ishte R.I që nxori thikën dhe unë u mundova të mbrohesha por arriti të më dëmtonte në fytyrë. Në atë moment, ata hipën në makinë dhe u larguan menjëherë kurse unë shkova në marketin afër shkollës dhe kërkova ndihmë”, dëshmoi 16-vjeçari.

Nga ana tjetër, jashtë kamerave kanë folur edhe dëshmitarë të ngjarjes të cilët kanë treguar detaje.

“Sapo kishte mbaruar mësimi, kur erdhi një nxënës që po mbante dorën në fytyrë por gjaku vazhdonte ti rridhte. Na kërkoi kartëpeceta dhe u ul tek trotuari. I dhamë ujë për ta qetësuar dhe brenda pak minutash ambulanca e mori. Një kalimtare e rastësishme kishte parë targën e makinës së autorëve dhe ja dha policisë. Dëgjuam nga nxënësit e tjerë që konflikti kishte ndodhur kot, pa asnjë motiv”, tregoi një dëshmitare.

Pak më parë sipas policisë u shoqëruan në komisariat edhe dy persona të tjerë. Nga dëshmia që pritet të japin në polici do të zbardhet ngjarja e sotme që la të plagosur në fytyrë adoleshentin.

Një nga shtetasit e përfshirë në konflikt është një emër i dëgjuar për policinë me inicialet R.I i përfshirë edhe më parë në të tilla ngjarje që e kanë çuar edhe pas hekurave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb