Kanë përfunduar pak më parë veprimet e Prokurorisë së Sarandës në bashkëpunim me AMP dhe Komisariatin e Policisë Sarandë, lidhur me ngjarjen e ndodhur pas mesnate ku pati të shtëna me armë zjarri dhe u plagosën me sende të forta dy persona.
Në përfundim të hetimeve paraprake, janë ekzekutuar urdhërat për arrestimin e 8 shtetasve, përfshirë punonjës policie ndërkohë që janë shpallur në kërkim 2 të tjerë. Të 10 personat jane të afërm e miq me njëri-tjetrin.
Ndërkohë është vendosur procedimi në gjendje të lirë edhe për 2 persona të tjerë të përfshirë në ngjarje, të cilët për shkak të rolit të tyrë në dinamikën e incidentit, janë lënë të lirë. Detaje priten në vijim nga një deklaratë për shtyp e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.
4 efektivë policie dhe 1 ish-efektiv rezultojnë të përfshirë në ngjarjen e ndodhur pas mesnate në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku një konflikt i nisur për shkak të një borxhi, ka degjeneruar në përplasje me armë e sende të forta. Nga dëshmitë e marra dhe kqyrja paraprake e pamjeve filmike, janë identifikuar disa prej personave të përfshirë. Rezulton se 4 prej tyre janë efektivë policie dhe njëri ish efektiv.
Ata janë Alvaro Sulejmani, efektiv i Komisariatit të Policisë Himarë, Kidi Sulejmani, efektiv i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, Ergis Sulejmani, efektiv i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë dhe Redi Sulejmani, student në Akademinë e Policisë në Tiranë. I përfshirë rezulton edhe Igli Duka, ish-efektiv i Komisariatit të Policisë Sarandë, i arrestuar më pas në Skoci pasi u kap në një ndërtesë ku kultivohej marijuanë. Vec pesë personave të mësipërm, janë identifikuar edhe pjesëtarë të tjerë të fisit Sulejmani e Duka si dhe një shtetas me mbiemër Cocka.
(Balkanweb)