Janë dhënë sot masat e sigurisë për 5 të arrestuarit e konfliktit që mori zanafillë në një lokal në Levan e më pas u spostua në ambientet e Spitalit Rajonal të Fierit.

Gazetari Ervis Kuçi raporton për “BalkanWeb” se Aleksandër Zhapaj, 51 vjeç, banues në Ferras, i cili është plagosur me armë zjarri dhe është dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar, nuk është paraqitur përpara togave të zeza, duke u njohur në mungesë me masën e dhënë “Arrest me Burg”. Mësohet se më parë ai ka dërguar një shkresë, ku thotë se nuk është në gjendje shëndetësore për t’u paraqitur në gjykatë.

Ndërsa në gjykatë janë paraqitur Daniel dhe Gazmend Braçe, përkatësisht 21 dhe 22 vjeç, të dy banues në Levan, të akuzuar për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, si dhe “Kundërshtim dhe mosbindja ndaj punonjësit të policisë”.

Për Daniel Braçen, i cili dyshohet se është edhe autori i plagosjes në mjediset e spitalit të Fierit, është vendosur masa “Arrest me Burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, ndërkohë që togat e zeza kanë vendosur masën “Arrest Shtëpie” për vëllanë e tij, shtetasin Gazmend Braçe, mbi të cilin rëndon akuza “Kundërshtim dhe mosbindja ndaj punonjësit të policisë”

Edhe pse fillimisht u mësua se në mjediset e Gjykatës së Fierit do të mbërrinin edhe Aldo Zhapaj e Emiglend Kararaj, më pas u bë me dije se masa e tyre do të jepej në mungesë, kjo për faktin se ndodhen ende në spitalin e Fierit.

Kujtojmë se Aldo Zhapaj, 22 vjeç, banues në Ferras, dhe Emiglent Kararaj, 32 vjeç, banues në Vlorë, akuzohen për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta”. Për 22-vjeçarin Zhapaj gjykata ka vendosur masën “Arrest Shtëpie”, ndërsa për 32-vjeçarin Kararaj “Arrest me Burg”. Gjyqtar i çështjes ndaj 5 të ndaluarve ka qenë Pirro Sota, ndërsa prokurore Eglantina Shehu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb