Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar nga Kuvendi lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, ku pas një sherri mes adoleshentësh, ka humbur jetën në spital nga plagët e marra një 14-vjeçar.
Teksa ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e adoleshentit, Zhupa tha se nga ngjarja e sotme kuptojmë se sa fals është projektbuxheti që ka një kapitull më vete për sigurinë në shkolla.
“Në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangi sherrin me thika në oborrin e shkollës. Paratë janë, por vetëm propaganda bëhet me sigurinë në shkolla”, tha ajo.
Ina Zhupa: Një 14-vjeçar sapo ka humbur jetën, pasi është vrarë më thikë në derën e shkollës “Fan Noli”. Dua t’i shpreh ngushëllimet familjes, por dua të kuptoni se sa false dhe jashtë realiteti është projektbuxheti që ka një kapitull më vete për sigurinë në shkolla.
Se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangi sherrin me thika në oborrin e shkollës. Paratë janë, por vetëm propaganda bëhet me sigurinë në shkolla.
Ministrit Balla dhe ministrja shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë, por nuk e di ku e kanë arkivuar paketën bashkë me këtë ministrin e ri, Hoxha, që di të sjelli vetëm policinë për t’u përballur me deputetët dhe nuk e ka policinë për të mbajtur fëmijët tanë.
***
Kujtojmë se adoleshenti me iniciale M. C., u godit me thikë në zemër dhe humbi jetën në spital në duart e mjekëve. Ai u transportua me urgjencë dhe u dërgua në sallën e kirurgjisë, por nuk arriti të mbijetojë duke humbur jetën.
Ndërkohë i plagosur ka mbetur edhe një 14-vjeçar i përfshirë në sherrin me thika, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Sipas policisë është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.
(BalkanWeb)