PROGRADEC- Sherri mes pesë vëllezërve dhe kushëririt të tyre, i cili përfundoi në spital me dëmtime të shumta në trup, ka acaruar gjakrat midis dy familjeve të të njëjtit fis në fshatin Virra të Pogradecit.

Jashtë kamerës familjarët e të plagosurit pohojnë për “News24” se nëse policia nuk dënon autorët dhe tre vëllezërit e tjerë, atëherë do të bëjnë vetëgjyqësi ndaj tyre.

Bashkëshortja e Kujtim Allës, i cili ndodhet në pavijonin e Kirurgjisë në spitalin e Pogradecit ka kërkuar që të zgjidhet njëherë e mirë problemi, pasi konflikti sipas saj mund të degradojë.

Mësohet se mes kushërinjve Alla disa kohë më parë ka pasur të njëjtin konflikt pronësie, ku gjatë përleshjes me mjete të forta janë shënuar të plagosur, ndërsa disa prej tyre edhe janë dënuar. Këtë herë ka qenë pikërisht vija e ujit që ka shkaktuar sherrin banal ku pesë vëllezërit Alla i kanë prerë veshin dhe i kanë shkaktuar fraktura në trup djalit të xhaxhait të tyre, Kujtim Alla.

Ky i fundit edhe pse me dëmtime serioze ka marrë armën e zjarrit tip pistoletë, por nuk ka mundur të gjuajë mbi kushërinjtë, pasi është ndalur nga bashkëshortja e tij.

Menjëherë pas konfliktit policia e Korçës ka arrestuar Dituri Alla për plagosje të rëndë, ndërsa i plagosuri, i shtruar në spitalin e Pogradecit, ndodhet nën arrest për armëmbajtje pa lejë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb