GJIROKASTËR- Një konflikt mes dy zyrtarëve në Gjirokastër ka degjeneruar sot në dhunë, deri sa të dy personat e përfshirë në sherr kanë përfunduar në spital. Pas ngjarjes, ka ardhur edhe reagimi i Prefekturës së Gjirokastrës dhënë gazetares së “BalkanWeb” Brikena Metaj.


Kjo, pasi Shefqet Aliko, një prej personave të përfshirë në sherr ishte punonjës i Prefekturës, me detyrë topograf. Prefektura thotë se ditën e sotme Aliko ka kërkuar leje gjysmë ore nga puna dhe se problemi që ka pasur në bashki ka qenë privat dhe jo institucional. Pra, sipas saj sherri nuk ka ardhur për shkak të detyrës. Për më tej Prefektura deklaron se do priten hetimet për një qëndrim zyrtar.


“Aliko ka kërkuar leje gjysmë ore nga puna dhe problemi që ka pasur në bashki ka qenë privat dhe jo institucional. Ne do presim përgjigjen e organeve që po merren me çështjen në fjalë”, thanë për “BalkanWeb” zyrtarë të Prefekturës së Gjirokastrës.
Sipas raportimeve të sotme, Shefqet Aliko ka shkuar në zyrën e nënkryetarit të Bashkisë Gjirokastër, Aurel Lapa dhe janë zënë me grushte. Të dy janë dërguar në spital pas sherrit, ndërsa policia ka nisur hetimet.


(m.k/BalkanWeb)