BEOGRAD– Ultranacionalisti serb, Vojislav Sheshel sfidoi sërish Perëndimin sot gjatë një manifestimi me rastin e 16-vjetorit të fillimit të bombardimeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë, i ndërmarrë për t’i dhënë fund shtypjes së forcave serbe në Kosovë.


“Ne nuk do ta harrojmë kurrë agresionin kundër vendit tonë dhe kjo është ajo që mendojmë për Perëndimin”, deklaroi Sheshelj para rreth 200 mbështetësve të mbledhur në qendër të Beogradit, të cilët dogjën flamujt e NATO-s, të Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe Kosovës.


Pas 78-ditëve bombardimesh, që shkatërruan një pjesë të rëndësishme të infrastrukturave në Serbi, forcat serbe u tërhoqën nga Kosova duke i hapur rrugën shpalljes së pavarësisë, në vitin 2008.


Sheshelj, i cili në atë kohë ishte zëvendëskryeministër i qeverisë serbe, ngriti flamurin në flakë të SHBA-së para manifestuesve entuziastë, të mbledhur para ndërtesave të shkatërruara të ushtrisë serbe nga Aleanca Atlantike.

“Jo, një Serbi në NATO dhe në BE”, theksoi ai.

Vojislav Sheshelj, 60 vjeç, i cili ishte ndaluar dhe gjykuar për krime lufte në Kroaci (1991-95) dhe në Bosnje (1992-95) që prej 12 vjetësh nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (TPIY), u lirua përkohësisht në mes të muajit nëntor për arsye shëndetësore.

Që prej rikthimit në Serbi, Shelshelj nuk ka hequr dorë nga retorika nacionaliste duke kërkuar krijimin e një ”Serbie të Madhe” duke përfshirë dhe shumë territore të vendeve fqinje.

Mbështetës të SRS-së, janë mbledhur para ish-Shtabit të Përgjithshëm të Beogradit për të protestuar.

Nga ana e tij, Sheshelj, tha se Serbia kurrë nuk duhet të bëhet anëtare e NATO-s apo Bashkimit Europian, edhe pse “regjimi tradhtar i kryeministrit Vuçiç është duke punuar për këtë”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb