NGA ILIR KALEMAJ*

Vapë, zheg shterues që prishet vetëm nga zukatja e ndonjë grerëze të pabindur që tërë lakmi të përsillet rrotull kanaçes së ‘Pepsi’-t.

Ndërkohë çdo dy minuta t’i pushton veshët thirrja e ndonjë “Luli të vocërr” këtej pari që bërtet “shesim misra”. Ndonjë e lezeton parullën e thatë duke shtuar “të shijshëm, të njomë dhe të nxehtë”.
Shqipëria e dy pamjeve shfaqet me kontrastet e saj të thella të zakonshme. Nga njëra anë shpërfaqen trishtueshëm pamjet e djelmoshave fukarenj me misra në duar, të rraskapitur nën të nxehtin afrikan, të palarë në detin aty pranë, ndërsa nga ana tjetër lezetojnë banjat e shkumës që duket janë moda e fundit këtej pari, ku mendësia kolektive dhe të identifikuarit me grupin është ku e ku më e rëndësishme se të jesh thjesht vetvetja.
Nëse plazhet duken se kanë më shumë përkujdesje dhe ndjejnë dorën e privatit që synon t’ua bëjë më komode pushuesit qëndrimin e tij, duke pasur disa shërbime normale që vite më parë as nuk konsideroheshin, çmimet gjithashtu kanë fluturuar në hapsanë. Zgjedhja mes të shkuarit në bregdetin “luks” të Jugut, trafikut të tmerrshëm për të vizituar ndonjë nga plazhet afër kryeqytetit veçanërisht në fundjavë apo zgjedhjes së pishinave me ujin e dyshimtë dhe çmimet e papërballueshme duken si dilema hamletiane për studentin xhepshpuar, shtëpiaken nikoqire apo buxhetorin e varfëruar, listës së shpenzimeve të së cilit tashmë i duhet shtuar dhe 3-përqindshi si kontribut për partinë, ndryshe fluturon vrik nga puna.
Hall i madh e ka zënë të ziun milet ndërsa duhet të llogarisë koston mes të “pjekurit të gjallë” rrugëve të shkreta të kryeqytetit në fundjavë apo aventurës për të shijuar disa orë të freskëta malore apo bregdetare me koston e papërballueshme të sakrifikimit të një pjese të mirë të buxhetit familjar.
Një verë e nxehtë kjo mesa duket, që vërtitet nga inspektorë tatimesh që përsillen si Çiçikovi i Çehovit, me skema fantazmë për të mbushur xhepat nga puna në shtet që nuk paguan mirë, por do “mjelë” siç duhet për kompensim deri te zyrtarë llërë-përveshur e politikanë të përvuajtur që rreken të duken si të çapëlyer mes punëve të shumta që iu ka ngarkuar…, sovrani. Të ishte për ta do të ishin arratisur me kohë e vakt andej nga brigjet e Arubës apo vërdalliseshin klubeve të natës të Bangkokut, por ky qerrata popull ua ka vënë këmbët në një këpucë dhe iu duhet t’i shërbejnë, nuk ka shaka. Mes tyre ka dhe disa “burrështetas” të kriminalizuar, që enden si Raskolnikovi i “Krim dhe Ndëshkim” deri sa Komisioni i posaçëm për Dekriminalizimin, nën hyqmin edhe të ndërkombëtarëve vullnetmirë, t’ua bëjë “pesë me dy”, t’u nxjerrë “lakrat në shesh” dhe t’ua mbledhë njëherë e mirë. Amin!
Dhe kështu ngadalë ka për të kaluar edhe kjo verë, që të shëmbëllen disi me “Verën në Algjer” të Kamysë, ku koha duket sikur ka ngecur, në pritje të vjeshtës dhe të reformave të mëdha, ku ajo e drejtësisë pritet të shkëlqejë si margaritar në aradhën e gurëve të çmuar të gjerdanit të reformave qeveritare. Kështu që nuk na ngelet gjë tjetër veç të përzhitemi edhe ca nën rrezet falas që bashkon të pasur dhe fukara, ndonëse fshatrat turistikë të gardhuar të kujtojnë enklavat e privilegjuara të pushtet-mbajtësve dhe biznesmenëve punë-shumë, të cilët kanë nevojë për plazhet e tyre privë për t’u çlodhur fizikisht dhe kalitur shpirtërisht për sezonin e ri, ku punë të çmuara i presin me tepri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: