Boris Johnson është shfaqur pas shumë kohësh, siç raportuan mediat, në përpjekje për të shpëtuar dinjitetin e konservatorëve pak përpara se britanikët të shkojnë në zgjedhje.
Ish-kryeministri u shfaq në mitingun e fundit parazgjedhor të partisë së tij në Londër. Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera, Johnson vuri në dukje “rrezikun që mund t’i vijë vendit nëse mbështeten masivisht Laburistët.”
Kështu ai u bëri thirrje njerëzve që të mos votojnë as për Laburistët dhe as për partinë Reforma në Mbretërinë e Bashkuar .
Megjithatë, ajo që analistët vënë në dukje sot është se ish-kryeministri nuk përmendi fare anët pozitive e të votuarit në favor të konservatorëve. Dhe, ai nuk është i vetmi që mban një qëndrim mbrojtës.
Edhe kryeministri dhe lideri i konservatorëve, Rishi Sunak, në fjalimet e tij të fundit, është fokusuar më shumë në atë se çfarë do të thotë një fitore e plotë e laburistëve për vendin sesa në programin e partisë së tij.