Teatri ArtTurbina në Tiranë do të ngjallë emocionet e shikuesve me shfaqjen e pritur “15 ditë prilli”, e shkruar nga Anisa Markarian.

Një dramë që sjell në skenë 56 personazhe, të interpretuara nga 12 aktorë të talentuar, ku çdo moment është një surprizë për publikun. Në një intervistë për News 24, aktorët Xhuljano Briskaj dhe Alesia Xhemalaj ndanë detaje të kësaj shfaqjeje që premton të ofrojë një përvojë të paharrueshme.

Ata zbulojnë se ky projekt është një udhëtim nëpër karaktere të ndryshme, ku çdo aktor sjell në jetë figura të një periudhe të veçantë, duke përfshirë gjithashtu një mesazh të fuqishëm për realitetin e sotëm.

Aktori Xhuljano Briskaj: Aty është një sekretar partie, është një gazetar, ka shumë personazhe. Ne nuk e kemi arritur në atë kohë. Por, kam ndjekur aq shumë filmat shqiptarë, sa kam marrë një “aromë” të asaj kohe për të krijuar disa karaktere. E veçanta e shfaqjes është se ka 56 personazhe që luhen nga 12 aktorë. Në vepër janë 3-4 linja kryesore. Unë mendoj që publiku argëtohet, kur sheh një aktor që bën personazhe të ndryshme. Janë 70-80 kostume, është organizim i ç’organizuar. Romani është dramatizuar dhe kjo s’është e lehtë.

Aktorja Alesia Xhemalaj:  Tek shfaqja është një studente e mjekësisë, e cila është rebele dhe dëshiron të dalë kundër sistemit. Romani është shkruar nga Anisa Markarian. Interesi ka qenë tepër i lartë dhe i them publikut që të interesohet sa më shpejt, që mos të ngelen pa parë shfaqjen. Unë kam tre personazhe. Është një vajzë, e cila në monizëm nuk rri dot pa e thënë të vërtetën, por shpesh e kritikojnë që mos ta thotë të vërtetën. E vërteta është se ajo shtypet përherë. E kaluara është prezente brenda nesh dhe thellë-thellë gjërat nuk kanë ndryshuar aq shumë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: