Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi i ftuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 komentoi situatën aktuale politike. Idrizi tha se dekreti i Presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve është një mundësi shumë e mirë për zgjidhjen e krizës politike.

“Kemi një qeveri që doli nga zgjedhje të kontestuara. Këtu qeveris portali i Ramës, institucionet s’bëjnë gjë tjetër veçse i kthejnë përgjigje portalit. Kemi një parlament kukull, ndërsa sistemi drejtësisë është drejt kapjes. Jemi sot pa Gjykatë Kushtetuese, kemi një ekonomi që po shkon në drejtim të paditur, 2,2 mld euro kanë shkuar në drejtim të paditur. Nga ana tjetër është e pamundur të bëhen zgjedhje vetëm me një parti. 30 Qershori dhe dekreti i Presidentit janë një mundësi shumë e mirë për zgjidhjen e krizës politike. Kush janë zgjidhjet politike? Opozita e ka dhënë zgjidhjen: Në momente krizash vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, ndryshe do rrëshqasim”,- tha Idrizi.

Sipas tij, dekreti i Presidentit Ilir Meta ka ndihmuar në radhë të parë kryeministrin e vendit.

“Dekreti i Presidentit në radhë të parë ka ndihmuar Edi Ramën, po të marr variantin që do hynte në zgjedhje si Enver Hoxha. Në çfarë situatë do ishte Shqipëria? E shoh si një shteg për turistin Rama që t’i thërrasë arsyes. Fakti që nuk ka dekretuar një datë tjetër, Presidenti i ka lënë shteg gjetjes së një zgjidhje politike”, u shpreh ai ndër të tjera.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb