SIRI- Sulmet ajrore në zonat e kontrolluara nga kryengritësit në Siri u kushtuan jetën të paktën 100 personave, një ditë pasi SHBA dhe Rusia njoftuan planet për arritjen e një armëpushimi.

Një sulm ajror në një treg të Idlibit vrau 60 persona, ndërsa të paktën 45 të tjerë humbën jetën në Aleppo.

Një armëpushim 10-ditor pritet të hyjë në fuqi të hënën, në ditën e Kurban Bajramit, teksa forcat e qeverisë siriane do t’u japin fund misioneve luftarake në zona të caktuara opozitare.

Në atë që u pa si një zhvillim i papritur, Rusia dhe SHBA-të do të krijojnë një qendër të përbashkët për të luftuar grupet xhihadiste, të tilla si ISIS dhe Fronti al-Nusra.

Marrëveshja u arrit në Gjenevë, mes Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov. Turqia dhe Bashkimi Evropian i mirëpritën planet, por paralajmëruan se nevojitej më shumë veprim.

Sipas Ankarasë, ndihmat duhet të dërgohen që në fillim, ndërsa shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini kërkoi tranzicion politik. Një zëdhënës i opozitës siriane bëri të qartë se plani kishte sjellë pak shpresë në vend, por ende nuk dihen detajet sesi do të garantohet funksionimi i tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: