Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur procedurat për blerjen e produkteve ushqimore për të burgosurit që vuajnë dënimin në 23 institucionet që administrohen nga kjo drejtori. Tenderi është i ndarë në 6 lote sipas kategorive të ushqimeve, pra do të lidhen 6 kontrata me afat 2-vjeçar, për të bërë furnizimin e rregullt me produkte të freskëta.

Blerja e bulmetit dhe vezëve do të kushtojë maksimalisht 195,6 milionë lekë pa TVSH. Në listën e furnizimeve parashikohen mbi 4.3 milionë kokrra vezë, 912 mijë litra qumësht, 17,500 kilogramë gjalpë dhe 143 mijë kg djathë.

Ndërsa për ushqimet bazë koloniale, pra” oriz, fasule, vaj, sheqer dhe makarona, është caktuar një fond limit prej 106,4 milionë lekësh.

Do t’i kushtojnë më pak buxhetit ndërkohë ushqimet bazë, lot i tenderit ky që përfshin marmalatën, salcën, kripën dhe çajin. Me një fond limit prej 31,3 milionë lekësh, ky është edhe loti me vlerën më të ulët nga tenderat e nisur nga Drejtoria e Burgjeve.

Sakaq, tenderi më i kushtueshëm është ai për blerjen e mishit, i cili ka një fond limit prej 196 milionë lekësh, por edhe një afat më të shkurtër kontrate, prej 20 muajsh. Porosia për këtë periudhë do të jetë rreth 312.6 ton mish viçi, i cili sipas dokumenteve të tenderit kërkohet të jetë i freskët, i vulosur nga kontrolli veterinar dhe të transportohet me mjete frigoriferike.

Një tender gjithashtu i rëndësishëm është ai i frutave dhe perimeve, i cili kap vlerën e 120 milionë lekëve pa TVSH. Në porosinë dy-vjeçare përfshihen 438 ton fruta të ndryshme dhe 1,350 ton perime, nga ku 297 ton patate dhe 216 ton qepë.

Procedurat për blerjen e ushqimeve mbyllen me tenderin për blerjen e bukës, i cili do të ketë gjithashtu një kontratë 2-vjeçar për furnizim ditor. Për mbi 2 milionë kilogramë bukë gruri, fondi limit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është caktuar 170 milionë lekë.

Në total, vlera për blerjen e ushqimeve për 23 institucionet kap shifrën e 821,3 milionë lekëve. Duke marrë parasysh numrin e të burgosurve dhe të paraburgosurve, 5580 individë në fund të Nëntorit 2017, llogaritet se shpenzimi për frymë për ushqim në ditë është rreth 201 lekë të reja pa TVSH./Scan

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: