Partizani me jo pak vështirësi arriti të mbajë kreun e renditjes së Kategorisë Superiore pas një barazimi shumë emocionues me shifrat 2-2 kundër Vllaznisë. Të kuqtë pas 11 javësh kanë arritur të grumbullojnë 17 pikë, një më shumë se Egnatia, ndjekësja më e afërt.

Për ironi të fatit rrogozhinasit janë edhe rivali i vetëm direkt ndaj të cilit Partizani ka arritur të fitojë. Ndeshjet e të kuqve me skuadrat që janë në garë për një vend në katërshe kanë qenë shumë të ekuilibruara dhe shumica dërrmuese e tyre janë mbyllur në barazim. Sezoni nisi me një humbje të hidhur kundër Vllaznisë, ku pavarësisht rezultatit, ajo ishte një nga ndeshjet më të dominuara nga Partizani, por goli mungoi.

Më pas Partizani gjeti një rival direkt në javën e pestë, Dinamon e Dajës në debutimin e këtij të fundit. Ajo ndeshje rezultoi “thriller” dhe u mbyll me shifrat 2-2 me dy gola të Rrapajt dhe Vilës në anën tjetër në shtesë. Pas bluve erdhi derbi me Tiranën, që në renditje është larg, por mbetet gjithnjë një rival i madh. Të kuqtë dhe bardheblutë prodhuan një nga derbe më të dobëta të viteve të fundit dhe gjithçka u mbyll në një barazim të thatë 0- 0.

“Demat” reaguan kundër Egnatias në Rrogozhinë me një fitore të pastër 0-2 e më pas erdhën dy barazime të tjera kundër Elbasanit dhe Vllaznisë, në fazën e dytë. Me pak fjalë, në ndeshjet e të kuqve me skuadrat që konsiderohen rivalë direkt mbizotëron një barazi e frikshme prej katër “X”-esh, një humbjeje dhe një fitoreje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb