Viti 2012 shënon daljet e para të kosovarëve në Siri, numri i të cilëve brenda pak vitesh do të arrinte në 362, prej tyre shumica burra. Por, numri i të bashkëngjiturve në ISIS është i lartë edhe për gratë e fëmijët. Pas burrave, në Siri e Irak shkuan 49 gra e 58 fëmijë.


Mirëpo, përveç në shkuarje, burrat prijnë në numër edhe për të kthyerit në Kosovë nga vatrat e luftës. Policia i ka bërë të ditur Metros se vetëm 7 gra dhe 3 fëmijë janë kthyer nga Siria, ndërkaq burra janë kthyer 123. “Numri i personave të kthyer në Kosovë apo edhe në vendet tjera prej nga kanë udhëtuar është 133, përfshirë këtu 123 meshkuj, 7 gra dhe 3 fëmijë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës, shkruan tg.


Siç vërehet në shifra e po ashtu edhe në përqindje, burrat prijnë në numër për nga bashkëngjitja, mirëpo e njëjta gjendje është edhe në kthimin e tyre. E për fatin e grave dhe fëmijëve nuk janë dhënë shumë detaje. Mirëpo, Policia bën me dije se numrit të kosovarëve në Siri u janë shtuar edhe 40 fëmijë të lindur në zonën e konfliktit.


Kështu, sipas Policisë, në Siri aktualisht po qëndrojnë 59 burra, 41 gra, 55 fëmijë të shkuar nga Kosova dhe 40 fëmijë të lindur në Siri. Numri i personave të vdekur në zonën e konfliktit është 76 persona, prej të cilëve 73 persona të gjinisë mashkullore të vrarë, ndërsa 3 persona, përfshirë këtu 1 person i gjinisë mashkullore, 1 person i gjinisë femërore dhe një fëmijë i lindur në zonën e konfliktit raportohet të kenë vdekur nga shkaqe natyrore.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: