Shirat e dendur të rënë gjatë 24 orëve të fundit kanë bërë që niveli i lumit Ishëm të rritet e për pasojë lumi të dalë nga shtrati në pjesën fundore të fshatit Murqinë, Mallkuç e Bilaj.
Gazetari Juli Shota bën me dije për BalkanWeb se si pasojë janë përmbytur kështu qindra hektarë toke bujqësore dhe duke izoluar disa familje në fshatin Murqinë të cilat izolohen sa herë ka shi si pasojë e përmbytjes së rrugës që lidh lagjen e tyre me pjesën tjetër të vendit.
Reshjet vijojnë dhe pse intensiteti i tyre ka renë. Kjo është hera e dytë brenda një harku kohor prej 20 ditësh që me qindra hektarë toke përmbyten si pasojë e mos pastrimit të kanaleve të cilët nuk kullojnë.
Këto zona janë zona të cilat si pasojë e neglizhencës totale të institucioneve përmbyten edhe 6 apo 7 herë në vit dhe në disa raste banorët janë evakuuar me helikopterë e nga forcat RENEA.
Dhe pse asnjë metër kanal nuk është pastruar prej dekadash asnjë mase nuk merret ndaj personave përgjegjëse madje nuk ka pasur kurrë në hetim nga ana e prokurorisë për të vënë para përgjegjësisë shkaktarët e kësaj situate të përsëritur tashme çdo vit.