TIRANË- Ndonëse Albert Veliu, i ashtuquajturi Dëshmitari X ose “Babalja”, një nga protagonistët e audi-përgjimit të Agron Xhafajt tha se kishte bashkëpunuar me SHISH dhe dy punonjës të këtij institucioni, të cilët i kishin siguruar dhe mjetet, vetë Shërbimi Informativ e mohon.

Kështu të paktën rezulton nga dosja e Prokurorisë bashkëngjitur kërkesës për arrestimin e Albert Veliut dhe kunatit të tij Fredi Alizoti. Për të verifikuar dëshminë e Albert Veliut sek ishte marrë aparatura nga SHISH dhe kishte bashkëpunuar me SHISH, Prokuroria i ka kërkuar informacion ‘agjencisë ligjzbatuese’. Në shkresën e përgjigjes thuhet se kjo agjenci nuk dispononte përgjim të bisedës së zhvilluar midis shtetasit Albert Veliu dhe personit të pretenduar prej tij, si Geron (Agron) Xhafaj, por dispononte një regjistrim bisede mes shtetasit Albert Veliu dhe shtetasit Agron Laver Hyseni. Pra del në skenë një tjetër emër pas atij të Fred Alizotit.

“BalkanWeb” sjell një tjetër pjesë të dëshmive të sjella në dokumentin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Shtetasi Albert Veliu ka dhënë deklarime dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në datë 17.05.2018. Veç të tjerash ka deklaruar që shtetasin Agron Xhafaj e njeh prej shumë vitesh dhe kohët e fundit nuk ishte takuar me të. Takimin e fundit e kishte pasur rreth para katër muajve, ditën që kanë ndodhur përmbytjet në Novoselë. Ai e kishte telefonuar paraprakisht Agronin dhe e kishin lënë të takoheshin tek lokali “2 P***” rreth orës 17:30-18:00. Kur kishte shkuar në lokal, aty kishte gjetur dy persona që quheshin Altin dhe Ermal.

Në bisedë i kishte kërkuar Agronit ta ndihmonte që të dërgonte një sasi kanabisi në Itali. Ai pretendon që i ka kërkuar para Agronit për të blerë një sasi kanabisi, por ai nuk e kishte ndihmuar. Sa i përket bisedës së bërë publike në datë 14.05.2018, ai ka deklaruar që nuk e ka regjistruar ai atë bisedë.
Faktin e regjistrimit e kishte marrë vesh tre ditë më parë nga i biri, kur kjo bisedë ishte bërë publike në media. Ai ka deklaruar që e ka marrë në telefon Agronin kur ka qenë duke drekuar me familjen te lokali “Qorrit”. Sa i përket bisedës së pretenduar të zhvilluar te lokali “2 P***”, ai deklaron që ai nuk ka bërë regjistrim të saj, por ka konfirmuar që biseda është zhvilluar midis tij dhe Agronit.

Në kuadër të verifikimit të thënieve të shtetasit Albert Veliu i është kërkuar informacion një agjencie ligjzbatuese, të cilët na kanë dërguar shkresën e datës 24.05.2018. Sipas materialit të administruar: kjo agjenci nuk dispononte përgjim të bisedës së zhvilluar midis shtetasit Albert Veliu dhe personit të pretenduar prej tij, si Geron (Agron) Xhafaj, por dispononte një regjistrim bisede mes shtetasit Albert Veliu dhe shtetasit Agron Laver Hyseni. Gjithashtu kjo agjenci na ka njoftuar që shtetasi Albert Veliu nuk kishte bashkëpunuar me të”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Dokumenti Prokuroria Babale 3
Dokumenti Prokuroria Babale 3

DËSHMIA E AGRON XHAFAJ
Shtetasi Geron Xhafaj ka dhënë deklarime në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në datë 15.05.2018. Ai veç të tjerash ka deklaruar që prej vitesh përdor numrin e telefonit 06* ** ***. Ai ka deklaruar që personi që shfaqej në materialin e bërë publik si “dëshmitari X”, në datë 14.05.2018, mund të ishte shtetasi Robert Veliu. Me këtë shtetas ai njihej prej kohësh, pasi pinte kafe tek lokali i tij dhe shpeshherë i kishte kërkuar lekë borxh, pasi luante bixhoz. Duke qenë se nuk ishte person korrekt, prej të paktën tre vitesh nuk është ulur me këtë person.

Biseda telefonike mund të kishte ndodhur, megjithëse nuk ishte në gjendje të kujtonte se kur, por ishte i sigurt që nuk e kishte takuar atë njeri. Ky shtetas mund ta kishte telefonuar me numra të ndryshëm gjatë kësaj periudhe trevjeçare, e duke e ditur që ai i kërkonte lekë, ai e kishte refuzuar dhe më pas i kishte bërë bllok thirrjeve të tij. Ai ka deklaruar që nuk është takuar me këtë shtetas, pasi kujton fare mirë që kur është telefonuar prej tij, i kishte thënë që të mos t’i binte telefonit. Lidhur me bisedën e pretenduar të jetë zhvilluar në lokal, ka deklaruar që jo vetëm zëri nuk është i tij, por edhe mënyra e të folurit nuk është ajo që ai përdor zakonisht.

Ai ka mohuar që të jetë ulur me këtë individ prej të paktën tre vitesh. Sipas deklaruesit, regjistrimi ishte tërësisht i manipuluar dhe zëri i personit që paraqitej si bashkëbisedues me “bashkëpunëtorin X” nuk ishte zëri i tij. Ai nuk kishte ndonjë shok të quajtur Ermal, me këtë emër njohtë vetëm një person që e ka kushëri të dytë. Gjithashtu, ka deklaruar që nuk njeh ndonjë person me nofkën “Toto Qorri” apo të kishte ngrënë ndonjëherë në restorantin e tij.

Dokumenti Prokuroria Babale 4
Dokumenti Prokuroria Babale 4

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb