TIRANË- Shërbimi Informativ Shqiptar po planifikonte të blente disa super-aparatura për të kryer përgjime në telefona, kompjuterë e programe të ndryshme. News24 ka zbuluar detaje të reja nga komunikimet e zyrtarëve shqiptare me kompaninë “Hacking Team” për blerjen e programeve të përgjimeve për Shërbimin Inteligjent Shqiptar. Gazetari i News24, Spartak Koka ka arritur të zbardhë e-mailet e kompanisë në fjalë që i janë dërguar SHISH në 22 tetor të vitit 2013. Ofertat e Hacking Team janë zbuluar nga Wikileaks, pasi i janë hakeruar 400 GB të dhëna dhe materiale, të rreth 70 klientëve të saj në të gjithë botën.

Në bazë të këtyre e-maileve mësohet se kompania i ka ofruar SHISH programe që lejojnë aksesin në kompjuter. E-maili është dërguar nga punonjësi i “Hacking Team” Emad Shehata për punonjësin e SHISH, Ermal Dauti. Ky super-program për të cilin bëhet fjalë, lejon aksesin në telefona celularë, Viber, Twitter e Whatsapp. Kompania ka prezantuar programe që vjedhin të dhënat. Ndërkohë Përfaqësuesi i “Hacking Team”, Eric Rabe ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetarin e News24, Spartak Koka ku flet rreth ofrimit të shërbimit të programeve për SHISH.

“Kjo kompani është vënë në sulm të mediave ndërkombëtare për marrjen e të dhënave nga qytetarët. Debati është, a ka thyer kjo kompani ligjet ndërkombëtare dhe ligjet për mbrojtjen e privatësisë. E-mailet tregojnë se Shqipëria ka qenë pjesë e negociatave me këtë kompani. Emad Shehata i ka propozuar një punonjësi të SHISH, Ermal Dautit një marrëveshje. I tregon se çfarë ofron kompania e tij dhe i ka propozuar të shikojnë produktet dhe të negociojnë për këtë pjesë”, tha gazetari Koka.

Dy përfaqësues të kompanise “Hacking Teams” vizituan Tiranën gjatë vitit 2014, e me konkretisht S.Iannelli dhe E.Shehata kanë mbërritur në Shqipëri në datat 09-01-2015 dhe 11-02-2015 ku mendohet të kenë takuar përfaqësues të lartë teë SHISH dhe qeverisë.

PËRMBAJTJA E NJËRIT PREJ E-MAILEVE

Përmbajtja e e-mailit të datës 22 tetor 2013 ora 17:02
Objekti: HackingTeam Italy- Albania Governement
Dërguar: “Ermal Dauti”

Besoj se mbërritja e këtij e-maili do të gjej mirë. Siç folëm në telefon unë jam këtu për të prezantuar në mënyrë të mirësjellshme  një panoramë të plotë të kompanisë tonë dhe produkteve .

Hacking Teams po hedh në treg  versionin e fundit  të sistemit  Remote control System i quajtur Galileo
Sistemi i Kontrollit Remote (RCS) është projektuar për të sulmuar, infektuar dhe monitoruar një numër të madh të objektivave PC dhe Smartphones në një formë vjedhje

Zgjidhja jonë iu  lejon ju për të mbledhur fshehurazi të dhënat nga të gjitha sistemet më të përdorura operative si Windows XP / Vista / 7/8 (32 dhe 64 bit), Mac-OS dhe Linux për atë që i përket Desktop.

Në lidhje me smartphones  ju mund të monitoroni iPhone, Symbian, Blackberry, Android dhe Windows Phone8.

Pasi një objektiv është i infektuar, RCS- Remote control System të lejon hyrjen në një shumëllojshmëri të informacionit, kjo përfshin:   SKYPE, aplikacionet e chat (FACEEBOOK, TWITTER, WHATSAPP, LINE, VIBER, etj), tastierat (të gjitha gjuhëve), vendndodhja objektivit, fotografitë, mikrofonat  dhe shumë karakteristika të tjera .

Karakteristika e fshehtësisë përfshijnë  një rezistencë të plotë në të gjitha sistemet e mëdha dhe më të zakonshme të mbrojtjes endpoint.

Bashkangjitur në këtë e-mail gjeni një prezantim të shkurtër. Nëse jeni të interesuar në zgjidhjen tonë dhe nëse ju jeni në dispozicion për të caktuar një prezantim/demonstrim live në objektin tuaj, me mirësi pres të rilidhemi së bashku

Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj
Emad Shehata
Menaxheri kryesor i llogarisë
Hacking Ekipi
Milan Singapore Washington DC
www.hackingteam.com
email: [email protected]
celular: +39 3357939078
Telefoni: +39 0229060603

INTERVISTA ME ERIC RABE, PËRFAQËSUES I “HACKING TEAM”

Mund t’ju bëj disa pyetje në lidhje me një publikim të bërë nga Wikileaks të disa e-maileve të kompanisë tuaj që i ofronte Shërbimit Informativ Shqiptar shërbime në disa produkte të afta për të përgjuar telefona, kompjuterë, të aftë për të sulmuar, monitoruar dhe infektuar një numër të lartë këtyre pajisjeve, programe këto që SHISH mund t’i përdorë. Cila është e vërteta?
Nuk mund të identifikoj asnjë vend në veçanti si klientin tonë.

Emad Shehada, punonjësi juaj i ka dërguar një e-mail me ofertën përkatëse SHISH-it, me emrin e një punonjësi Ermal Dauti…
Unë e kuptoj se ju doni të flas për vende të veçanta, për klientë të veçantë apo e-maile të veçanta. Unë nuk mund ta bëj këtë.

Përse?
Nëse ju keni një e-mail që thotë diçka, ju mund ta përdorni atë, për atë çka thuhet në të. Ne mund të kemi shpërndarë rreth 1 milion e-maile prandaj unë nuk mund të jem i vëmendshëm për çfarë mund të keni parë ju në njërin prej tyre.

Pra ju nuk keni asnjë koment të veçantë për ofertën që i keni propozuar SHISH rreth këtyre sistemeve?
Jo.

Përse?
Do të duhej, por…ju e dini. Nuk kam asnjë koment, kjo është e gjitha.

Pse SHISH refuzoi shërbimin tuaj?
Nuk do të flas për Shqipërinë por shumë shërbime inteligjente në mbarë botën përdorin produktet tona, sepse përndryshe ata e kanë të pamundur të dinë se çfarë janë duke bërë kriminelët në telefonin e tyre apo dhe në internet. Dhe këto janë investigime tërësisht ligjore që mund të bëhen dhe ato institucione kanë detyrimin ti mbrojnë të gjithë. Kjo është arsyeja pse njerëzit përdorin produktet tona. Ne kemi mënyrat tona për të gjurmuar. Ne i shesim këto vetëm tek Agjencitë Shtetërore.

Sa kushton për një vend që të blejë produktet tuaja?
Çmimet varen nga ajo se çfarë agjencitë ligjzbatuese apo vendet kërkojnë. Kemi larmishmëri ofertash dhe kështu ato mund të zgjedhin se çfarë është e rëndësishme dhe për shumën që do të paguajnë. Qytetarët e çdo vendi duhet të jenë të lumtur që institucionet e tyre ligjzbatuese mund të përdorin këto produkte sepse ndihmojnë për të kapur njerëzit e këqij që bëjnë gjëra të këqija siç janë terroristët dhe kriminelët. Kjo është një gjë e mirë për qytetarët, por nuk është e mirë për kriminelët dhe terroristët.

Sa mund ti shërbenin Shqipërisë produktet tuaja për të luftuar kriminelët dhe terroristët?
Duhet të pyesni ata, duhet të pyesni qeverinë shqiptare. Terroristët nuk respektojnë kufijtë ndërkombëtar. Ata operojnë ku të kenë dëshirë. Çdo vend mund të përfitojë nga produktet tona.

KREU I SHISH: NUK KEMI GJËRA PËR TË NDARË ME MEDIAT
Ndërsa Kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar Visho Ajazi Lika nuk ka pranuar të komentojë për këto aparatura përgjimesh. I pyetur nga gazetari Koka, Lika as nuk i ka mohuar dhe as nuk i ka pohuar negociatat që janë zhvilluar me Hacking Team

Janë publikuar disa e-maile në Wikileaks për negociata që keni zhvilluar me një kompani për blerjen e aparaturave për përgjime, a keni pasur oferta?
Nuk kemi gjëra për të ndarë me mediat për këtë çeshtje.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: