Një 32-vjeçar i identifikuar si Jurgen Dymke është arrestuar nga Policia e Beratit pasi shiste lëndë narkotike dhe i shpërndante në shkollat e qytetit të Beratit dhe Kuçovës.
Blutë kanë sekuestruar dy qese plasmani me rreth një kilogramë lëndë narkotike kanabis në formë boçeje.
Procedohet penalisht dhe një shtetas tjetër, të cilit iu gjet një sasi e vogël lëndë narkotike që e kishte blerë tek 32-vjeçari.
Njoftim:
Në vijim të kontrolleve bazuar dhe në inteligjencën policore me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetet e Beratit dhe Kuçovës, në afërsi të shkollave, lokaleve dhe në ambiente të ndryshme, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja, goditën një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kalaja”, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasin J. D., 32 vjeç, banues në Dimal dhe proceduan penalisht shtetasin N. Z., 22 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit në banesën e 32- vjeçarit, policia gjeti dy qese me rreth një kilogramë lëndë narkotike kanabis në formë boçeje që ky shtetas po e përpunonte duke e ndarë në doza me qëllim shitjen.
Ndërsa shtetasit N. Z, gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti një sasi të vogël lëndë narkotike cannabis, të cilën e kishte blerë tek shtetasi J. D.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)