Një 61-vjeçar nga Finiqi është arrestuar në flagrancë në Sarandë, pasi u kap duke shitur celularë dhe aksesorë të dyshuar si mallra kontrabandë.

Operacioni u krye nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Vlorë, në kuadër të përpjekjeve për goditjen e aktiviteteve kriminale në fushën e kontrabandës.

Policia bëri të ditur se i arrestuari, shtetasi B. Ç., banues në Finiq, po tregtonte mallra pa dokumentacion të rregullt në lagjen nr. 2 të Sarandës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 34 aparate celularë, mbi 350 aksesorë celularësh, ora dore të markave të ndryshme, të gjitha me një vlerë të përafërt prej 20,000 euro.

61-vjeçari akuzohet për disa vepra penale, përfshirë “Tregtimi i mallrave kontrabandë”, “Ruajtja e mallrave kontrabandë”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb