Tjetër denoncim për shitje-blerje votash në Dibër. Teksa opozita e sheh si shkak kryesor për humbjen, fenomenin e blerjes së votës në zgjedhjet në Dibër, një qytetar pretendon se ka regjistruar një rast të tillë në video.

Sipas denoncuesit, në pamjet filmike shfaqet Mexhit Çorollari, përfaqësues i komunitetit egjiptian në Dibër.
Në pamjet e para, ai duket teksa mban një listë emrash në dorë, takohet me persona të ndryshëm përpara qendrës së kulturës së Peshkopisë dhe në një plan të dytë, sipas personit që ka pamjet filmike, ai shihet duke i dhënë para njërit prej tyre.

Regjistrimi, sipas autorit të kësaj videoje, është bërë të shtunën, një ditë para zgjedhjeve, në qendër të qytetit të Peshkopisë.

Nuk dihet se për çfarë pagese bëhet fjalë dhe nëse këto para të shpërndara kanë lidhje me ndonjërin nga kandidatët në garë. Mexhit Çorollari është i njohur në komunitetin egjiptian në Dibër, ndërsa një familjar i ngushtë i tij mësohet se është punonjës i Bashkisë.

Burime zyrtare të Partisë Demokratike thanë se Mexhit Çorollari është në listën e personave që ajo do të kallëzojë penalisht në Prokurori për blerje të votave për zgjedhjet e pjesshme të së dielës në Bashkinë e Dibrës, shkruan TVKlan.

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, emisioni “Fiks Fare”, publikoi video ku shfaqeshin vëllezërit e kandidatit të ASHE, që fitoi garën, Muharrem Rama duke ofruar vende pune në këmbim të votave.

Ndërkohë edhe News24 ka publikuar video ku qytetarët deklaronin se ishin paguar për të votuar kandidatin e majtë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: