Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Individët dhe bizneset që kanë një pasuri të patundshme, mund të aplikojnë që nesër deri në 28 shkurt të vitit tjetër në zyrat e Hipotekës për rivlerësimin e pasurisë. Udhëzimi që mban firmat e ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë është botuar sot në Fletoren Zyrtare dhe u jep të drejtë gjithë personave që zotërojnë pasuri të paluajtshme të plotësojnë pranë Hipotekës formularin “Kërkesë për rivlerësim”.

Rivlerësimi i pasurisë do të shkurtojë tatimin mbi të ardhurat në rast shitjeje të pasurisë, nga 15% në 2% për individët dhe nga 15% në 3% për bizneset. Baza e tatueshme, në këtë rast, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal, dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi. Pas procedurës administrative që ndiqet nga punonjësit e Hipotekës, pronari do të kryejë pagesën e tatimit nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në një nga bankat e nivelit të dytë.

Rivlerësimi
Rivlerësimi i pasurive do të kryhet nga ekspertët e Hipotekës ose do të merren si referencë çmimet e banesave në tregun e lirë të përcaktuara në vitin 2014. Çmimet e banesave janë mesatarizim dhe nuk përfaqësojnë zona të veçanta brenda qyteteve. Nivelin më të lartë të çmimit për një metër katror banesë e ofron Tirana, me 89.700 lekë ose 600 euro për metër katror. Çdo transaksion për shitje banese dhe rivlerësim pasurie të paluajtshme ka si bazë vlerësimi tabelat me çmimet mesatare të shitje-blerjes së banesave në Tiranë dhe rrethe, të cilat botohen të plota nga gazeta.

Udhëzimi
Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe e kanë të regjistruar ose e fitojnë të drejtën e pronësisë dhe e regjistrojnë atë deri në datën 28 shkurt, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut, si dhe të përmbushin detyrimet e parashikuara sipas ligjit. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Nga e drejta e rivlerësimit përfitojnë të gjithë individët që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe e kanë të regjistruar atë, përfshirë edhe rastet kur për pasurinë e paluajtshme është bërë më parë rivlerësimi i saj.

Procedura
Individi paraqitet për rivlerësim të pasurisë pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin “Kërkesë për rivlerësim”. Më pas individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP) apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë, të nënshkruar dhe vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë.

Llogaritja e tatimit
Baza e tatueshme, në këtë rast, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal, dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë zyra vendore e regjistrimit të pasurisë, rivlerësimi bëhet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë së aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi.

Pagesa e tarifës
Pas kryerjes së pagesës së tatimit dhe tarifës së shërbimit, ZVRPP-ja bën ndryshimet përkatëse në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të rivlerësimit të pasurisë. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, në zbatim të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës, në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: