Reshjet e vazhdueshme të shiut në ditët e fundit kanë sjellë probleme në qytetin e Bulqizës.
Gazetari Enver Doçi raporton për Balkanweb se rruga që lidh dy lagjet e këtij qyteti janë përmbytur nga uji duke shkaktuar probleme në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Zona e përmbytur është shumë e frekuentuar për shkak se aty ndodhet edhe terminali i mjeteve të transportit publik ndërqytetas.
Në disa raste është dashur ndërhyrja e policisë për të kaluar këmbësorët nga njëra anë në tjetrën për shkak të nivelit të lartë të ujit që kishte mbushur rrugën dhe trotuaret.
Vetë qytetarët shprehen se kjo situatë është e përsëritur pasi kanalet ujëmbledhëse që nga Qafa e Buallit nuk funksionojnë siç duhet duke bërë që uji të mblidhet në këtë zonë duke përmbytur jo vetëm rrugën por edhe bizneset përreth.
Kjo situatë në qytetin e minatorëve është e përsëritur dhe se autoritetet vendore nuk e kanë zgjidhur si problem me gjithëse janë shpenzuar dhjetëra miliona lekë për kanalin që kalon mes dy lagjeve të qytetit.
(Balkanweb)