Kishte vetëm pak orë që kishte marrë e marta e 26 nëntorit. Ngjitur me vilën 4-katëshe të familjes së madhe Lala ishe dhe ajo e Fehim Imerajt, që tregoi se ishte fqinj i mirë në gëzime dhe hidhërime. Feimi jetonte përballë tyre me gruan Bukurien dhe fëmijët, aty në zonën e Kënetës në Durës. Ora shënonte 2:50 minuta e mëngjesit kur dridhja e parë e tokës i zgjoi ata nga gjumi. Të alarmuar, Bukuria dhe Fehimi rrëmbyen të përgjumur fëmijët dhe dolën jashtë shtëpisë për të shpëtuar. U kujtuan dhe për Marjetën, të cilës i thirrën nga jashtë për ta ndihmuar. Ata sot janë të shokuar, e kanë të vështirë të flasin.

Fqinja E Familjes Lala
Fqinja E Familjes Lala

Por nga mendja nuk e zhdukin dot atë që panë e dëgjuan në ato orë tragjike, të cilat Bukurie Imeraj i rrëfen hap pas hapi për gazetaren Klodiana Lala. “Dëgjuam lëkundjen e parë, dolëm. Doli edhe komshija, i thirrëm dhe asaj se ishte më kalamaj të vegjël. Pastaj u rikthyem në banesë, ashtu si komshinjtë”, tha ajo. Me 4 fëmijët e saj, Marjeta u rikthye në banesë, por nuk hipi në katin e katërt, por mbështolli fëmijët me krah dhe qëndroi dy më poshtë, bashkë me kunatin e paralizuar, vjehrrën dhe dy fëmijët e kunatit tjetër për t’u ndjerë më e sigurt. Nuk vonoi shumë dhe toka u drodh sërish në orën 3:55 minuta. Në ato sekonda fatale Fehimi zbriti sërish për t’i ndihmuar, duke thirrur, por nga brenda përgjigjet ishin të pakta.

“Kur dëgjuam lëkundjen e dytë, unë u ngjita për tek fëmijët e mi sipër, burri për të ndihmuar ata (familjen Lala). I thamë; “a t’i marrim fëmijët poshtë”. E shkreta tha; po i marrim fëmijët, po i bashkojmë bashkë. Në katin e dytë i bie ishin vendosur. I kishte fëmijët e vegjël. Pak sekonda ishin, kur gjithçka u bë rrafsh pastaj.”, pohon gruaja. Pasi toka pushoi së zhurmuari dhe aty nuk pipëtinte më asgjë. “Aty u bë një mjegull. Një krismë ku çdo gjë u bë rrafsh. Dy katet humbën fare, fare. Porta ishte e mbyllur. Asgjë, as zë, asgjë.”, rrëfen fqinja e familjes Lala. Fehimi thërriti sërish dhe prej andej dëgjohej vetëm 17-vjeçari Ramë Lala, të cilit arriti t’i çonte ujë përmes një tubi dhe më pas lajmëroi policinë. Vetëm teksa dita po zbardhte vila 4-katëshe e familjes Lala, brenda të cilën banonin 3 kurora, dukej si një pemë me degët e thyera pas një stuhie që nuk mbajti më, duke u shkulur me rrënjë. “Pas 6-7 orësh u shemb çdo gjë. Nga krahu andej. Aty kishte mbaruar çdo gjë”, tha ajo.

Djaloshi 17-vjeçar Ramë Lala qëndroi aty poshtë rrënojave për orë të tëra duke luftuar me jetën dhe fatmirësisht zjarrfikësit arritën ta nxirin prej andej të gjallë. Por Ramë nuk e dinte që familjarët e tij poshtë rrënojave ishin shuar përgjithmonë. Bukuria dhe bashkëshorti i saj, efektiv i policisë, Fehim Imeraj, nuk i braktisën fqinjët edhe të vdekur. Ata hapën dyert e mortit për t’i përcjellë me dinjitet 8 anëtarët e familjes Lala. Bukuria tregon me nostalgji kohën e njohjes me Lalajt. “Kam 18 vite që kam ardhur këtu. Kemi filluar themelet përnjëherë bashkë. Ata të shkretët e kanë avash. Dy vite kanë që kanë ardhur nga Peshkopia. Kanë qenë 3 kurora në një hyrje pallati. Kanë qenë njerëz të mrekullueshëm. I kam pasur si njerëz të shtëpisë.”, tregon gruaja. Ndërsa shtëpia e Imerajt i rezistoi lëkundjeve të tokës, e kundërta ndodhi në vilën 4-katëshe përballë tyre. Fqinjët Lala i kishin treguar Bukuries se shkallët e shtëpisë kishin pasur probleme që në tërmetin e 21 shtatorit, por kjo ishte vlerësuar si jo problematike nga inspektorët e bashkisë. “Probleme kishte që në radhën e parë. Ajo u kris që radhën e parë (shkalla). I thirrën njerëzit, ata të komunës, e panë dhe thanë’; “kaq krisje s’kanë gjë””, -shton më tej fqinja.

Sahadete Lala, i biri Ilir dhe mbesa e saj Griselda, Marjeta Lala dhe fëmijët e saj Amelia, Emilio, Enisi dhe Dionisa, u kthyen u rikthyen në atë banesë të ndërtuar me sakrifica pa e ditur se aty do të jetonin vetëm dy muaj të tjerë, deri më 26 nëntor.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb