Tre persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë proceduar penalisht nga policia e Tiranës.
Blutë njoftojnë se këta persona u kapën në flagrancë duke shkarkuar inerte, në vende të ndryshme.
Njoftimi:
Gjatë kontrolleve të territorit për garantimin sa më të sigurtë dhe të pacenuar nga krimet mjedisore, janë mbajtur në monitorimin e shërbimeve të Policisë, vende në të cilat dyshohej se kryhej aktivitet i paligjshëm në fushën e krimeve mjedisore.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, janë konstatuar duke transportuar e shkarkuar inerte dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
– Q. L., 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga nenet 199 dhe 200 të Kodit Penal;
– A. R., 27 vjeç, F. N., 59 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/a i Kodit Penal.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit L. M., 58 vjeç, F. H., 52 vjeç, P. V., 29 vjeç, dhe M. M., 40 vjeç.
Dokumentet e 6 automjeteve (kamionë) me të cilat janë konstatuar këta shtetas, janë bllokuar, ndërsa automjetet iu janë lënë në ruajtje pronarëve të tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)