TIRANË- Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka përshëndetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin Fatos Lulo, i cili sot u shkarkua nga detyra pasi nuk e justifikon pasurinë e tij prej gjysmë milioni dollarë.

“Sot, zbatimi i Reformës në Drejtësi shënoi një hap tjetër të rëndësishëm, të shumëpritur”, shkruan ministrja në një status në “Facebook”, pas vendimit të KPK.

Gjonaj thekson se “qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem drejtësie me gjyqtarë dhe prokurorë që besojnë në detyrën e rëndësishme që kanë marrë përsipër dhe mbrojnë vetëm interesin më të lartë të qytetarëve dhe shoqërisë dhe jo interesat e tyre personale financiare ose politike”.

“Reforma në Drejtësi përkundër të gjitha përpjekjeve për ta dëmtuar apo penguar, po jep rezultatet e saj të njëpasnjëshme, duke garantuar jo vetëm suksesin e kësaj reforme, por edhe një tregues pozitiv për çeljen e negociatave me BE-në. Përgëzimet për fillimin e procesit vendimmarrës të Vettingut i shkojnë jo vetëm Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por edhe kolegëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, shkruan ministrja.

Etilda Gjonaj

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb