TIRANË

Deputeti i Partisë Socialiste Adnor Shameti, i ftuar në emisionin “Dritare me Rudinën” në News 24 foli për ngritjen e Komisionit Hetimor, i cili ka për qëllim hetimin për të gjetur shkeljet e Presidentit Meta në lidhje me zhdekretimin e zgjedhjeve lokale me 30 qershor. Ai tha se ky komision ka një punë tremujore, ndërsa shtoi se gjetjet e tij në fillim të shtatorit do t’i përcillen Kuvendit për të vendosur më pas shkarkimin ose jo të kreut të shtetit.

“Komisioni është operativ dhe ka nisur që dje.  Do të filloj menjëherë puna për përgatitjen e kalandarit. Unë besoj se në muajin shtator do të kemi një raport përfundimtar në lidhje me shkeljet kushtetuese të Presidentit të Republikës. Brenda muajit shtator do të jetë i përmbyllur i gjithë ky hetim dhe më pas do të çojmë në Kuvend. Kuvendi pastaj voton me votë të fshehtë për shkarkimin. Unë besoj se brenda shtatorit do të kemi një raport përfundimtar të këtij komisioni. Është çështje ditësh, sepse do të kemi të përmbyllur edhe Gjykatën Kushtetuese dhe shpresoj që do të plotësohet ajo brenda korrikut”-tha ai.

Kryeministri Edi Rama është shprehur se Presidenti ka shkelur kushtetutën e vendit, ndërsa Meta ua ka bërë të qartë socialistëve se të gjitha veprimet e tij kanë qenë të bazuara në ligj dhe në kushtetutë duke hedhur poshtë kështu pretendimet e tyre.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: