Kristian Panuçi nuk do të jetë më trajner i Kombëtares kuqezi. Humbja e djeshme me Turqinë ka rezultuar fatale për italianin, pozitat e të cilit ishin tronditur fort që pas trupërimit me Skocinë 4-0 vitin e shkuar. Por gjithsesi Duka i dha besim Panuçit, besim të cilin priste ta shikonte të kthehej në rezultativ që në ndeshjen e djeshme në “Loro Boriçi” kundër Turqisë, përfundimi i së cilësh ishte sërish i hidhur për Shqipërinë.


Turqia fitoi 2-0, por ajo që dhembi më shumë ishte shuarja totale e skuadrës në fushë pas golit të dytë dhe gjithashtu edhe fikja e Panuçit, që ra në black out dhe e vetmja gjë që po mendonte në kokën e tij deri në fërshëllimën përfudimtare, ishte justifikimi i radhës.


Ndaj Armand Duka ka vendosur të zhbëjë gabimin e 17 korrikut të vitit 2017, kohë kur i dha dhe besimin italianit për të vijuar punën e De Biazit, me Panuçin që mori përsipër një trashëgimi të rëndë, por ende pa i pasur shpatullat gati për ta përballuar peshën e suksesit të patriotit të tij.


Në 15 ndeshje si trajner i Shqipërisë, bilanci i Panuçit është tmerrësisht negativ. Vetëm 4 fitore, dy prej të cilave në miqësoret me Turqinë (2-3) dhe Uellsin (1-0), si dhe ndeshjet zyrtare me Lihtenshtejnin (2-0) dhe Izrarelin (1-0), barazimet janë vetëm 2, ai me Maqedoninë (1-1) dhe miqësorja me Jordaninë (0-0). Ndërsa seria e humbjeve është e frikshme, plot 9 humbje, Spanja (3-0), Italia (0-1), Norvegjia (0-1), Kosova (0-3), Ukraina (1-4), Skocia (2-0), Izraeli (2-0), Skocia (0-4) dhe së fundmi Turqia (0-2). Golavarazhi është i frikshëm, 9 gola të shënuar dhe 25 të pësuar, për një diferencë prej -14 golash, një hendek i parikuperishëm!

“Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ditën e sotme ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin Christian Panuçi. E falenderojmë trajnerin Panuçi për punën e zhvilluar deri më tani dhe i urojmë suksese në vazhdimin e karrierës. Ekipi kombëtar në ndeshjen e dytë zyrtare eliminatore kundër Andorrës në transfertë do të drejtohet nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, si edhe pjesa tjetër e stafit aktual,” ishte njoftimi i FSHF-së, me FSHF-në dhe presidentin Duka që shpreson ta kalojë me lehtësi ndeshjen ndaj Andorrën, për ta marrë më me shumë qetësi emërimin e trajnerit të ri.

Një nga pistat kryesore është ajo e Edi Rejas, ish-trajneri i Napolit, Lacio e Atalantës, që dje pas ndeshjes është parë në tavolinë me Armand Dukën, lajm ky i bërë me dije në mënyrë ekskluzive nga Balkanëeb.com. Aktualisht Reja është në pole-position, por nuk përjashtohet dhe ndonjë alternativë tjetër, që mund të afrohet gjatë ditëve në vijim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: