TIRANE– Pas shkarkimit të drejtueses së Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi nga kryeprokurorja e re e përkohshme, Arta Marku, vjen reagimi i Partisë Demokratike.

Selia blu e theksoi se ky vendim vjen dy ditë pasi Gashi i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërprerjen e mandatit për deputetin e Elbasanit, Aqif Rakipi. PD akuzoi Ramën se po hakmerret për mikun e tij, Rakipi.

REAGIMI I PD
Kapja politike e Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama, pasi kthimit të pasaportës për Saimir Tahirin, dha sot një tjetër efekt.

Kryeprokurori Edi Rama shkarkoi drejtuesen e Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, dy ditë pasi, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, zonja Gashi i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërprerjen e mandatit për deputetin e Elbasanit, Aqif Rakipi.

Shkarkimi i prokurores Rovena Gashi, e cila e drejtoi Sektorin e Dekriminalizimit që në krijimin e tij, është hakmarrje direkte e Edi Ramës për llogari të aleatit dhe mikut të tij, Aqif Rakipi.

10 ditë pas emërimit politik të Prokurorit të Përgjithshëm, në shkelje të hapur me Kushtetutën, u faktua mashtrimi i madh i Edi Ramës, argumenti kryesor i të cilit ishte se Prokurori i Përkohshëm nuk kishte asnjë kompetencë thelbësore për të lëvizur prokurorët apo për të ndikuar në mbylljen e dosjeve.

Skema e Edi Ramës në mbrojtje të aleatëve të tij kriminelë është e qartë. Kur drejtësia kërkon arrestimin e Saimir Tahirit, Edi Rama e kap drejtësinë, kur ligji zbatohet për të larguar kriminelët nga parlamenti, Edi Rama godet ata që zbatojnë ligjin. Që sot, me shkarkimin e prokurores Rovena Gashi si hakmarrje për Aqif Rakipin, krimi ka filluar të godasë shtetin përmes shtetit!​
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb