Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se 17 mijë persona janë prekur nga përmbytjet pas shembjes së digës Kakhovka në Ukrainë dhe se kjo shifër mund të rritet në 40 mijë.
Një konferencë javore për media u mbajt nga Rolando Gomez, Shef i Departamentit të Medias dhe Marrëdhënieve me Jashtë të Njësisë së Informacionit të Zyrës së OKB-së në Gjenevë.
Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Shabia Mantoo, tha se është e tmerrshme që pas shembjes së digës Kakhovka, krahas vendbanimeve në rajon, nën ujë kanë mbetur qyteti Kherson që ndodhet 60 km larg.
“Sipas zyrtarëve ukrainas, krahas 80 qytezave dhe fshatrave në rajonin Kherson, nën ujë kanë mbetur plotësisht ose pjesërisht edhe mijëra hektarë tokë bujqësore. Në rajonin që kontrollohet nga qeveria ukrainase, nga përmbytjet janë prekur 17 mijë persona dhe kjo shifër mund të rritet në 40 mijë”, tha Mantoo.
Nga kjo janë prekur edhe mijëra persona të cilët ndodhen në rajonet nën kontrollin e përkohshëm ushtarak të Rusisë, njoftoi Mantoo, e cila tha: “Deri më tani nga rajoni janë evakuuar ose janë larguar rreth 2.200 persona”.
Mantoo bëri të ditur se në rajon, uji i pastër dhe higjiena sanitare janë nevojat më të rëndësishme dhe se qindra mijëra njerëz nuk kanë qasje në ujin e pijshëm të sigurt.
Koordinatorja e OKB-së për çështjet humanitare për Ukrainën, Denise Broën, e cila mori pjesë në takim, deklaroi se në rajon po përjetohet një situatë dramatike dhe se përmbytjetet po vijojnë.
Në këtë mënyrë qasja për ujë të pijshëm është një problem i madh në rajon, tha Broën, duke shtuar se ka nevojë për më shumë ushqime për njerëzit që zhvendosen.
Broën po ashtu tha se për shkak të përmbytjeve të përjetuara, shtëpitë kanë mbetur nën ujë, mjedisi është shkatërruar dhe se rajoni ka nevoja urgjente dhe të rëndësishme.