MESSINA

Policia italiane ka zhvilluar sot një operacion antidrogë, duke vënë në pranga gjithsej 9 persona, mes të cilëve 7 janë italianë dhe 2 shqiptarë. Ata u vunë në pranga, pasi Gjykata e Mesinës kishte caktuar masa sigurie për trafik të drogës nga Shqipëria në Itali.

Masa u mor kundër anëtarëve të një organizate kriminale që menaxhoi trafikun e drogës midis Shqipërisë, Emilia Romagna, Abruzzo, Kalabria dhe Messina. Hetimet, të koordinuara nga Drejtoria e Departamentit Anti-Mafia të Prokurorisë Publike, gjurmuan anëtarë të grupimit mafioz “Mesina”, të cilët bënin udhëtime në vende të ndryshme me qëllim trafikun e lëndëve narkotike, shkruan “News Sicilia”.

Karabinierët thanë se kanë shkatërruar një bandë të mirfilltë kriminale, e cila udhëhiqej nga babai i familjes mafioze Mesina, ndërsa pjesëtarë ishin edhe fëmijët e tij. Gjatë bastisjeve, u kapën në dy raste mbi 55 kilogramë drogë, ndërsa në pranga përfunduan edhe 2 korrierë të lëndës narkotike. Grupi kriminal, që kishte bazën në Messina, kishte krijuar strehën e aktivitetit në këtë vend, ndërsa vendi i origjinës së drogës ishte Shqipëria.

Në rrjet ishin përfshirë edhe dy furnizues shqiptarë, të cilët transportonin ngarkesat e drogës dhe i dërgonin ato në qytetin Peloritan. Droga, pasi mbërrinte në Messina, më pas hidhej në treg dhe shitej për të rinjtë dhe përdoruesit lokalë. Për më tepër, financuesit e grupit Messina kryen kërkime të shumta në të gjithë Italinë.

(d.xh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb