ELBASAN– Policia e Shtetit ka shkatërruar mbrëmjen e sotme në Xibrakë të Elbasanit një laborator droge, ku përpunohej kokainë e destinuar për tregjet evropiane, duke goditur kështu një rrjet të trafikimit të drogës. Nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha rezulton ndër personat e arrestuar në këtë operacion, si një prej organizatorëve të trafikut. Burime zyrtare bëjnë me dije se në kuadër të një operacioni të gjerë të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me INTERPOL dhe EUROPOL, është bërë i mundur sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme lëndë narkotike dhe arrestimi i 8 personave, mes të cilëve 6 shqiptarë dhe dy shtetas kolumbianë.

Sipas policisë, në pranga kanë rënë shtetasit: Gentian Gjonaj, Arian Dalipi, Ilir Hyseni, Klemend Dalipi nga Elbasani, Ermal Hoxha dhe Saimir Batku nga Tirana, si dhe Cesar Avila e Walther Moreno nga Kolumbia. Mësohet se dy kolumbianët janë kapur në flagrancë duke punuar në laborator, ndërsa shtetasit Sajmir Butka iu sekuestruan 18 kg kokainë dhe një shumë prej 300 mijë eurosh të fshehura në automjetin e tij.

Ermal Hoxha

(në foto, Ermal Hoxha)

Policia pohon se i arrestuari Ilir Hyseni, ka qenë organizatori kryesor i kësaj veprimtarie kriminale. Hyseni trafikonte kokainë nga Shqipëria në Gjermani.

Sipas të dhënave nga burime zyrtare, bëhet e ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Xibraku” u sekuestruan në total 121 kg kokainë e përzier, 3 kg kokainë e pastër dhe 3 deri në 4 tonë përzierës. Sipas informacioneve paraprake janë 24 persona të përfshirë gjithsej në këtë rrjet të trafikut të drogës, ndaj priten edhe arrestime të tjera. Ndërkohë mësohet se ky grup  kriminal ka investuar një shumë prej 20 milionë dollarësh për pasuri të patundshme në qytete të ndryshme të vendit.
Ky rrjet trafikantësh vepronte në ish-magazinat e rezervave të shtetit nën pretekstin e një firme e cila grumbullonte bimë medicinale. Në këtë mënyrë sasia e lëndës narkotike dyshohet se vinte nga vendet e Amerikë Latine dhe pas përpunimit të saj në këtë laborator, droga trafikohej në tregun e brendshëm dhe në Europë, kryesisht në Gjermani. Kanë qenë pikërisht autoritetet gjermane të cilat kanë dhënë fillimisht sinjalizimin dhe pas hetimeve prej të paktën 6 muajsh është bërë i mundur zbulimi dhe shkatërrimi i këtij rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Operacioni i policisë po vijon ende në Elbasan, Tiranë, Vlorë dhe Durrës, për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës. Në vendin ku u zbulua laboratori i drogës kanë mbërritur prokurorë të Krimeve të Rënda, si dhe vetë drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb