DURRES

Një ditë pas marrjes së detyrës prokurori i përgjithshëm Olsian Çela, e ka nisur nga Prokuroria e Durrësit. Drejtësi pas dëmeve të mëdha që la pas tërmeti i 26 nëntorit në vend ishte premtimi i parë që Kryeprokurori Çela, bëri gjatë fjalës së tij në marrjen e detyrës.
Në një proncim për mediat nga Durrësi, Çela tha se hetimet e nisura pas tërmetit shumë shpejt do të japin rezultate konkrete.

“Besoj se edhe reagimi i prokurorisë, zbatimi i ligjit do të jetë korrekt i prerë dhe në fund do të kemi rezultate të qarta për hetimin. Hetimi është përqendruar në objektin e hetimit, nuk kemi shqetësime, të jemi te qetë e të besojmë të heqim dorë nga lajmet që janë shpesh edhe të pavërteta, nuk kam të dhëna që po ndodhin fakte të tillë per zhdukje apo prishje provash. Nga hetim po dalin edhe probleme me legjislacionin në fuqi, me rregullimet dhe mangësitë, në këto kushte hetimi në fund do të shërbejë edhe për të propozuar ndryshime në ligj.” tha Çela ndërsa garantoi se përgjegjësia që do të mbahet do të jetë maksimale.

“Këto janë vendimet që i marrin prokurorët, kanë të pavarur në vendimmarrjen, ka njerëz që kanë shkelur ligjin shumë kanë humbur jetën. Përgjegjësia që do të mbahet do të jetë maksimale, do të shkojë atje ku është, te ndërtuesit e zyrtarët kudo që provohet se ka elementë të përgjegjësisë penale nuk do të ketë hezitim për asnjë rast. Kam garantuar mbështetjen e plotë do të jenë të bindur se janë të pavarur këtë do ua garantojmë hetuesve.” theksoi Prokurori i përgjithshëm për mediat.

Një ditë më parë ndërsa mori detyren e Prokurorit të Përgjithshëm, Çela kërkoi rezultate nga hetimet e nisura lidhur me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, në një numër të madh banesash në Tiranë, Durrës e Thumanë.

“Sot ndodhemi në një fazë të vështirë, vendi po përballet me një krizë shumë të madhe për shkak të ngjarjeve që ndodhen në fund të nëntorit. Besoj se përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të spikasë në raport me atë që po bëjnë dhe institucionet, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi, që më në fund në këtë vend të bëhen gjëra konkrete”, tha Çela një ditë më parë.

Kujtojmë se Prokuroria ka nisur hetimet pak ditë pas tërmetit, në Durrës, Tiranë dhe Thumanë. Sipas njoftimeve zyrtare, pjesë e hetimeve të cilat kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim Detyre”, “Ndërtim pa leje” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim pa leje”, janë lejet e ndërtimit të lëshuara nga autoritetet vendore, zbatimi i tyre nga ndërtuesit, si dhe rastet e ndërtimeve abuzive dhe mungesa e ndërhyrjes së autoriteteve përgjegjëse.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb