Rezultatet e Task-Forcës antikorrupsion i bëri të ditura sot, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Pas shkelejeve të konstatuara Gjonaj njoftoi 28 masa disiplinore në doganën e Durrësit.



“Në përfundim të kontrollit, Task-Forca evidentoi shkelje në: Praktika zhdoganimi që nuk administrojnë procesverbalin e kontrollit fizik, të formularit të rivlerësimit doganor, mosrespektimin e parashikimeve ligjore si dhe të manualit “mbi procedurat standarde të punës për kontrollin fizik bazuar në risk të ngarkesave dhe mjeteve të transportit”, tha ministrja.


Gjithashtu, deklaroi Gjonaj, u evidentua se në disa praktika mungojnë të dhënat mbi numrin e imazhit të skanimit dhe rezultatet e skanimit si dhe mos respektim të procedurave dhe kërkesave të parashikuara në legjislacionin në fuqi, në fushën e vjeljes së detyrimeve doganore të akcizës dhe rikuperimin me forcë të borxhit doganor.

“Në përfundim të kontrollit janë rekomanduar 28 masa disiplinore. Për kryetarin e Degës Doganore Durrës, masë disiplinore “pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë deri në dy vjet”, për 18 doganierë, masë disiplinore “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj”, për 5 Specialistët e Zyrës së Rekuperimit me Forcë të Borxhit Doganor, masë disiplinore “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj”, si dhe “vërejtje” për 4 përgjegjës sektori pranë sektorit të operacioneve doganore, pranë zyrave të terminaleve si dhe të përpunimit të trageteve”, -tha Gjonaj.
(BalkanWeb)

Etiketa: