TIRANË- Komisioni hetimor për çështjne e CEZ është mbledhur sërish pasditen e sotme ku ka qenë i thirrur për të dëshmuar djali i ish-kryeministrit Shkëlzen Berisha.

Por ai nuk është paraqitur dhe ka dërguar një letër në komision, ku përveç se thotë se kreu i Komisionit Taulant Balla është i dënuar pohon se ndodhet jashtë shtetit për një event pune dhe nuk mund të paraqitet për të dëshmuar.

Këtë gjë e ka thënë në komision, deputeti Taulant Balla, i cili ka bërë edhe disa batuta ironizuese me këtë rast.

“Shkëlzen Berisha ka dërguar një shkresë që kryetari i komisioni është i dënuar. Sipas këtij dëshmitari ne jemi të dënuar, anëtarët e komisionit apo unë. Nuk mund të vijë në komision për një event pune apo për të festuar Shën Valentinin s’ka rëndësi, për sa kohë nuk ka rregullat minimale për të shkruar një letër, kanë bërë edhe konsulenca miliona euro. Kjo është hera e tretë që ky dëshmitar thirret në komision. Dy herë nuk ka dëshmuar, herën e tretë ka deklaruar se ndodhet jashtë shtetit për një event pune pa dhënë justifikime të rregullta. Duhej bileta e udhëtimit, ose një raport. Nuk mund të justifikohet”, tha kreu i Komisionit Taulant Balla.

Ndërkohë, në emër të opozitës, anëtari i djathtë në Komisionin Hetimor, Arben Ristani pohoi se shkresa zyrtare e Shkëlzen Berishës për mosparaqitje ishte e drejtë, pasi ai ka konflikt interesi me Taulant Ballën.

“Zoti Berisha ka ardhur para këtij komisioni dy herë, duke treguar vlerësimin dhe korrektesën e tij. Me shumë të drejtë ka paraqitur një kërkesë me shkrim në këtë komision, ku kërkon që kryetari të jap dorëheqje në komision. Ai pretendon dhe na e ka paraqitur një prove, një vendim gjykate, ka një konflikt personal me kryetarin për shpifje. Kjo çështje është gjykuar nga gjykata dhe kryetari është dënuar për shpifje. Kryetari i komisionit nuk paguan as gjobën që gjykata ka vendosur në favor të zotit Berisha. Ju nuk e dërguat për shqyrtim ankesën e paraqitur nga dëshmitari dhe vazhdoi të qëndroni në konflikt të hapur interesit, duke treguar se puna e këtij komisioni nuk është i paanshëm”, tha Ristani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb