NGA: FATMIRA NIKOLLI*
Baresha”, e kompozuar nga Rexho Mulliqi, do të interpretohet në datën 4 qershor, ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Shkëlzen Doli dhe Ansambli Popullor i TKOBAP do të mbajnë një koncert me perlat e muzikës shqiptare, dhe bëhet fjalë për një premierë absolute në TKOBAP, përpunuar për violinë e orkestër nga Gerti Druga. Mes të tjerash programi parashikon kolazh shkodran me këngët “Pranvera filloi me ardh”, “Margjelo”, e kompozuar nga Prenk Jakova, “M’ka shku mendja me u fejue” që interpretohen nga Doli dhe orkestra. Po ashtu një tjetër kolazh është ai arbëresh me “Moj e bukura Arbëri” Avni Mula, “Lule lu” (tradicionale arbëreshe), Valle arbëreshe nga Shkëlzen Doli dhe orkestra dhe kori i ansamblit popullor.

Mandej një kolazh vallesh nga zona e veriut. Të gjitha këto janë përpunuar për violinë dhe orkestër nga Gerti Druga. Pritet që në skenë të ketë edhe të ftuar. “Ka qenë një ëndërr fëminore, por ideja nisi pas realizimit të Bareshës, që e vumë vjet në skenë me Gerti Drugën. Këtu nisi gjithçka që muzikën shqiptare nga të gjitha trevat t’i perfomojmë në skenë” tha dje Shkëlzen Doli. Ai shtoi se nuk mjafton vetëm violina klasike, por edhe shpirti popullor si artist. “Të luash Brams, Moxart etj,. në stilin që e do kompozitori është një gjë, ashtu është edhe muzika shqiptare, sepse çdo pjesë duhet të ruajë origjinalitetin. Është veçori që një klasik të luajë edhe pjesë popullore të tabanit. Për mua ka rëndësi që një klasik të dijë patjetër veprat e vendit nga është ndaj edhe unë kam shumë pjesë shqiptare”.

Sipas Dolit për të ka rëndësi ta ndjejë repertorin shqiptar. “Është të jesh brenda artit shqiptar, edhe unw e ndiej veten komod. Çdo trevë ka të bukurë e vet. Jam rritur me muzikën e Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme, pasi mamaja ime është nga jugu”-tha ai. Ndërsa Gerti Druga një intervistë të shkurtër për “GSH” jep disa detaje nga koncerti.

– Doli e ka cilësuar ëndërr fëmijërie koncertin me ansamblin. Si u bë i mundur?
Bashkëpunimi im me Shkëlzen Dolin ka nisur me përpunimin e këngës “Baresha”, e cila u trajtua në formë simfonike me orkestrën e Teatrit të Operës, duke vazhduar te bashkëpunimi në festivalin e këngës në TVSH, në fundvit, me një kolazh të këngëve arbëreshe. Pasi përfunduam gjëja më e bukur që mund të ndodhte është që ta bënim nëpërmjet Orkestrës së Ansamblit. Orkestra e Ansamblit është më adaptja dhe më tipike për të bërë një koncert të natyrës popullore, por tashmë të trajtuar edhe pak klasike, ndryshe nga ajo çka është menduar se mund të ishin këngët popullore. Kështu që bëmë një lloj përzgjedhje dhe e kemi ndarë të gjithë programin në dy pjesë.

– Ju, sa kohë keni që po përgatiteni?
Nisur nga dashuria për muzikën e mirë shqiptare, menduam që të bënim një koncert kushtuar muzikës më të mirë shqiptare, duke u munduar që t’i risillnim në një formë të re tashmë. Ansambli shtetëror, institucioni ku unë tashmë jam drejtor artistik, ishte formacioni më i përshtatshëm për një koncert të kësaj natyre. Kështu filloi gjithçka, nga një bisedë, nga një ëndërr, në një projekt si ky. Ansambli po punon për ta sjellë gjithçka që është pjesa jonë e tabanit, edhe vallet po i koncepton jo në mënyrë tradicionale, por në një formë më moderne. Kështu që Ansambli sot është një nga formacionet më interesate që ka në Shqipëri sot. Ansambli mbetet një bibliotekë lëvizëse, sepse me të ke mundësinë që të zbulosh gjithçka për veprat shqiptare, t’i trajtosh dhe ke mundësinë e një grupi instrumentistësh që janë të gatshëm për çdo gjë. Kam konceptuar një shfaqje të re për pjesën e Ciklit të Kreshnikëve, sepse jam shumë i dashuruar me të, por të trajtuar në formë dinamike dhe bashkëkohore.

– Keni përpunuar disa këngë. Cilat janë ato dhe mbi ç’bazë janë përzgjedhur?
Në përzgjedhjen e këngëve jemi munduar shumë që të bëjmë një përzgjedhje sa më të mirë, duke pasur parasysh që të zgjedhësh midis perlave të muzikës sonë është paksa e vështirë, nisur nga shumëllojshmëria dhe magjia që ato përmbajnë. Jemi munduar të përfshijmë gati të gjitha zonat, duke filluar që nga jugu, Shqipëria e mesme, veriu i Shqipërisë dhe më tej.
(Intervisten e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: