BEOGRAD- Analisti politik dhe filozofi kosovar, Shkëlzen Maliqi, duke folur për librin e tij “Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime tjera”, tha se dialogu Prishtinë-Beograd është çështje serioze që duhet të zgjidh çështjen e Kosovës, sepse pa zgjidhjen e këtij problemi “nuk ka stabilitet dhe siguri në rajon”, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke deklaruar se përveç problemit të Kosovës në territorin e ish-Jugosllavisë ka probleme të tjera, të tilla si “Bosnja dhe Republika Srpska, ndoshta edhe Maqedonia”, këshilltari i Kryeministrit Rama, tha se këto probleme janë megjithatë pak më të vogla duke shtuar se: “Gjatë gjithë shekullit të njëzetë, nga marrëdhëniet serbo-kroate, eventualisht marrëdhëniet sllovene, qendër e stabilitetit, të cilat Jugosllavia si shtet kishte për ti zgjidhur për gjithë rajonin, ishin marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Pasi kjo të jetë e zgjidhur, atëherë nuk ka krizë, që do të thotë të përcaktohen territoret.”
Maliqi theksoi se vizita e Edi Ramës në Beograd është shumë e rëndësishme, por se reagimet ndaj deklaratës së tij “provokative” nga ana e politikanëve serb, përkujtoi vitet nëntëdhjetë dhe se nga këto reagime dhe reagimeve ndaj incidentit gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri, mund të shihet se sa është komplekse situata në marrëdhëniet e këtyre dy vendeve. “Serbia duhet të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur edhe për shkak të interesit të saj. Përderisa nuk e kupton këtë, ajo qëndron në vend dhe bllokon edhe zhvillimin e vet, si dhe zhvillimin e Kosovës dhe e gjithë rajonit”, ka thënë Maliqi.
Regjisori, shkrimtari dhe kolumnisti Zlatko Pakoviç theksoi se titulli i librit “Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime tjera”, i cili tingëllon si një lloj studimi, nuk është i rastësishëm, sepse e vendosë Kosovën si pikë shpërbërje dhe problem i nxehtë që kurrë nuk është zgjidhur.
Ai shtoi se vizita e Edi Ramës në Beograd është pakrahasueshëm më e rëndësishme nga vizita e presidentit rus Vladimir Putin, gjë e cila, sipas tij, më pas dhe u vërtetua. Regjisorja e teatrit dhe themeluesja e Qendrës për Dekontaminim Kulturor, ku u zhvillua biseda në lidhje me librin, Borka Paviçeviç, theksoi se ky libër ka një vend të rëndësishëm kulturor që i paraprin politikës. Ajo tha se është interesante kjo që “në krahasim me vendin ku dikur kemi jetuar, dhe i cili është në një farë mënyre subjekt i këtij libri”, ku kultura i parapriu politikës, sot nuk jetojmë në kohë të tilla.
“Është një paradoks interesant që kemi negociatat politike që duken aq të afërta apo që çojnë në një zgjidhje, por në fakt gjërat janë të copëtuar, dhe kështu vazhdimësia kulturore zgjatë më shumë, sa mund të shoh, se të gjitha këto marrëveshje për të cilat ne akoma nuk dimë asgjë”, tha Paviçeviç.
Atë që mund të mësojmë nga ky libër, Paviçeviç theksoi së është “një pasuri pafundësisht e madhe e botës nga e cila të gjithë kemi ardhur”, duke shtuar se “është shumë e rëndësishme nëse dikush i mençur në këtë vend, të kujtohet se Serbia është ende një vend multietnik, më shumë se sa cili do vend tjetër. Kurrsesi nuk mund të kuptoj çfarë po ndodh me këta njerëz që nuk mund të shohin se këtu ekziston Sanxhaku, Vojvodina, dhe se kjo është virtyt, pasuri, dhe jo mangësi.”
Libri “Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime tjera”, të autorit Shkëlzen Maliqi është një mënyrë për ta parë Kosovën ashtu siç është në të vërtetë: një çështje e komplikuar. Një rrëfim dhe refleksion i gjatë, i ushqyer ndërsjelltësisht nga rrëfyesi dhe pyetësi, i cili për nga nuancat është i hollë, tamam siç i takon një vepre intelektuale, një refleksion intelektual. Maliqi rrëfen në këtë bisedë me mikun dhe kolegun Haxhiu, jetën e tij që nga vitet ‘60 si student në Beograd, deri në zhvillimet e vona në Kosovë. Ky rrëfim nuk është thjesht një biografi e tij, është një analizë e hollë e ngjarjeve të rëndësishme nëpër të cilat kaloi Kosova, veçanërisht pas qeverisjes së Titos, ndër ato vite kur nacionalizmi serb nisi të ravijëzohej nëpër Jugosllavi.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: