Ka mjaftuar një gol i Bledi Shkëmbit që Skënderbeu të marri një tre pikësh mes shumë faulleve në Durrës. Kampionët përfitojnë në maksimum nga kjo javë duke e parë tashmë Kukësin vetëm një pikë larg. Të shoqëruar nga makthi i transfertës së fundit në “Niko Dovana”, miqtë nga Korça e nisin pjesën e parë duke reklamuar një penallti.
Gerard Progni kroson në zonë me Hodon që zgjedh bërrylin për të larguar, ky episod ishte thjesht momenti i parë për movjolë. Në minutën e 13-të Djego Martinez pëson një faull nga Hodo, por reagimi i sulmuesit brazilian nuk ishte aspak “Fair-Play”. Loja e ashpër me faulle të shumta në mesfushe do ishte prezent për gjatë gjithë pjesës së parë, si në minutën e 36-të ku britmat e Berishës nuk mjaftuan që gjyqtari i takimit të ndryshonte ngjyrën e kartonit për Ansi Nikën.
Momenti më përcaktues i sfidës erdhi në minutën e fundit e pjesës së parë. Julian Brahja nuk arrin të pozicionohet saktë përpara Nimagës dhe zgjedh duart në pamundësi të kokës për të frenuar aksionin. 11 metërsh dhe karton i kuq, më keq se kaq nuk mund të shkonte për qendërmbrojtësin. Nga pika e bardhë, Shkëmbi tregohet i saktë duke u rikthyer me gol, për më tepër në fund rezultoi një 3-pikësh.
Të mbetur me dhjetë lojtarë Teuta e kishte të vështirë të reagonte në pjesën e dytë, por edhe në ato pak raste që iu krijuan nuk arritën të merrnin më të mirën. Ajko Stojkov edhe një herë nuk arrin të ngrihet në lartësinë e emrit më të cilin u transferua në Korçë, por edhe kure i krijohet ndonjë mundësi ndalet nga gjyqtari për pozicion jashtë lojë, një tjetër moment që lë hapësirë për të diskutuar, por jo rezultati që me meritë shkoi për Skënderbeun.

(E. Shkambi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: