Në Korçë janë në pritje të takimit të sotëm, Skënderbeu-Krusejdërs, i cili luhet për llogari të turit të dytë paraeliminator të Champions League. Këtë vit klubi bardhekuq ka bërë blerje cilësore, të cilat u japin shpresë tifozëve se kjo skuadër mund të ecë më tepër dhe të bëjë historinë që nuk e ka bërë asnjë klub tjetër shqiptar. Ndaj, biletat që u hodhën në treg për këtë sfidë pothuajse janë shitur në masën 100%. Që në 48 orët e para të daljes në treg, qytetarët korçarë blenë menjëherë 5000 bileta, ndërsa mbeti në qarkullim një pjesë e vogël e tyre. Edhe çmimet ishin konkurruese, kështu që tifozëria pritet që të jetë e shumtë në shkallët e stadiumit. Këtë e thotë dhe kapiteni i skuadrës, Bledi Shkëmbi, i cili pohon se këtë herë nuk ka nevojë për apel drejtuar tifozëve për këtë takim.

Nga ana tjetër, ai pohon se korçarët nuk do të bëjnë të njëjtin gabim siç bënë tifozëritë e tri skuadrave të tjera që luajtën në turin e parë të Europa League. Shkëmbi, i bindur se do të ketë atmosferë të këndshme për këtë takim, u shpreh: “Në Korçë nuk ka nevojë për apel, sepse ka nisur të ndjehet atmosfera e ndeshjes. Mendoj që tifozët e qytetit tonë do të na mbështesin në këtë takim. Nuk mendoj që Korça do të bëjë të njëjtin gabim që u bë me tri ekipet e tjera”.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: