Pavarësisht se tashmë ka filluar një “karrierë” tjetër, si analist sportiv dhe me dëshirën për t’u bërë një trajner futbolli pas nisjes së kursit të trajningut, Bledi Shkëmbi vijon të ketë në zemër Skënderbeun dhe të shqetësohet për paraqitjet e ekipit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni legjendar i korçarëve komenton paraqitjet e ekipit me ndryshimin e trajnerit si dhe më pas analizon punën e mesfushës dhe të sulmit, duke dalë në konkluzione.

Shkëmbi jep edhe mendimin e tij në lidhje me luftën për titull dhe rivalët.
Shkëmbi, Skënderbeu ndryshoi trajner, por loja vijon të mos bindë. Si e shikoni ekipin tashmë me Ilir Dajën në krye?

Pa dyshim, ndërrimi i trajnerit është diçka, por nuk mendohet që edhe ndryshimi në lojë do të duket menjëherë në kampin bardhekuq. Pastaj nuk duhet të harrojmë që pavarësisht se trajneri italian nuk u përshtat siç duhet me ekipin, përgjegjësia nuk ishte vetëm e tij për paraqitjet e dobëta të ekipit. Normalisht që edhe ekipi kishte mangësitë e veta në interpretimin e lojës.

Çfarë i ka dhënë dhe çfarë mund t’i japë Daja ekipit?
Ndonëse në këto dy takime të para për këtë vit shumë nuk kanë vënë re ndonjë ndryshim në lojën e ekipit, unë mund të them se trajneri i ri i ka rikthyer Skënderbeut diçka më shumë në qarkullimin e topit dhe në ndërtimin racional të sulmeve. Por të shikojmë, lojtarët e krahut qoftë Mici apo edhe Vangjeli më shumë, janë rikthyer bindshëm. Kryesisht Vangjeli po shkon gjithmonë në fundore dhe po ndihmon ekipin siç bënte më parë. Prandaj jam i bindur se klubi ka vepruar mirë dhe ka bërë zëvendësimin e trajnerit në kohën e duhur. Takaj i ka besuar Agostinelit mjaft dhe ka zgjedhur që Dajës t’i japë kohën të njihet me ekipin në fazën përgatitore. Kjo është diçka e madhe.

Gjithsesi duket sikur diçka nuk shkon tek ekipi që do ende ndryshime…
Normalisht, kur ndryshohet një trajner me një tjetër, ekipi ka nevojë për kohë që të përvetësojë manovrat e reja të trajnerit. Sigurisht që koha është e nevojshme.

Duket sikur mesfusha ka problemet e veta qoftë me Orelesin apo Nimagën që nuk janë të denjë për këtë ekip. Por edhe Lilaj ka shfaqur probleme. Si e shikoni ju?
Të them të drejtën, unë nuk është se e kam parë shumë keq Sabjen Lilajn. Ka luajtur ndeshje të mira plot, por ka pasur oshilacione, të cilat janë normale për një lojtar. Më shumë më shqetë- son Orelesi me Nimagën për atë që kanë treguar në fushë. Nimaga ishte lojtari që mendohej se do të mbante peshën e ekipit në fushë, por nuk po ndodh kështu. Lojtari kishte të dhëna të mira për të ardhmen, por mbeti në vend duke mos treguar më asgjë. Ndërsa Orelesi, që kur është rikthyer, nuk ka arritur dot që të bëhet protagonist me ekipin. Gjithmonë ka luajtur nën mesataren e tij duke mos treguar asgjë nga Orelesi i para disa sezoneve.

Orelesi

Ekipit duket se i mungon shumë një “Shkëmbi” në lojë, atë që e ka bërë mirë Osmani ndaj Laçit. Si e vlerësoni rolin e tij të ri?
Osmanin e kam parë edhe herë të tjera në atë pozicion, para mbrojtjes dhe mund të them se është një lojtar që i bën mirë ato pozicione. Ka shumë përvojë dhe është i aftë të luajë me topin, prandaj them se mund ta bëjë mirë atë pozicion. Megjithatë, them se është një zgjidhje momentale, pasi Osmani më të mirën e tij e jep në mbrojtje, atje ku i fal siguri prapavijës dhe garanton organizimin e lojës nga mbrojtja. Sigurisht që është një vlerë e shtuar e ekipit.

Me merkaton e kryer, sa mund të ndryshojë ky ekip?
Skënderbeu ka bërë një merkato të fortë gjatë janarit dhe normalisht pritet që të shihen se si do të funksionojnë lojtarët e afruar. Afrimi i Predeskut duket se do të jetë ajo që do të ndryshojë disi lojën e Skënderbeut, pasi është një organizator dhe mund të luajë në regji. Natyrisht që Predesku do të jetë një vlerë e shtuar për këtë ekip. Nga ana tjetër, duhen parë edhe afrimet e tjera, sidomos ato të sulmit, se sa produktivë do të jenë.

Sulmi mbetet problem për golat, cila mund të jetë zgjidhja?
Besoj se gjithçka do të kalojë. Është e vërtetë që golat kanë munguar dhe sigurisht që duhet parë edhe se si do të veprojnë afrimet e reja. Por unë mendoj se Salihi do të jetë ai që do t’i japë Skënderbeut golat dhe pikët që i duhen për titullin. Salihi ka pasur probleme me dëmtimet dhe normalisht tani që i ka lënë pas besoj se do të rikthehet të jetë vendimtar. Është sulmuesi më produktiv dhe ai që do të nxjerrë Skënderbeun në vendin ku i takon. Mund të them se loja që bënte Skënderbeu nuk ndihmonte Salihin të ishte vendimtar.

Kampionati është i gjatë, por Kukësi është 4 pikë i shkëputur. Si e shikoni garën për titull?
Mendoj se do të jetë një luftë mes tre ekipeve. Skënderbeu, Kukësi dhe Partizani do të diskutojnë titullin. Pa tifozllëk e them se Skënderbeu ka në bazë të emrave ekipin më të mirë dhe më pas vjen Partizani. Për sa i përket Kukësit, është meritë e trajnerit Gjoka që po mban ekipin në këto pozicione./panoramsport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: