Vizita në Itali, takimi me Igli Taren, largimi i Agostinelit, emërimi i Dajës dhe Partizani. Bledi Shkëmbi i thotë të gjitha, teksa ndalet edhe te fanella me numrin 10, që Skënderbeu në respekt të tij nuk ia ka dhënë ende asnjë lojtari këtë sezon. Në një intervistë për “Panorama Sport” ish-kapiteni i korçarëve theksoi ndër të tjera se sheh Partizanin si pretendentin kryesor për titullin kampion.

Bledi, te Skënderbeu është afruar së fundmi një lojtar rumun, i cili shihet si pasardhësi juaj. Në respekt të asaj që ju keni dhënë, klubi ka refuzuar t’i japë fanellën me numrin 10…?
Të them të drejtën këtë e kam lexuar në gazetë dhe nuk është se jam shumë në dijeni. Megjithatë, numri 10 është shumë i bukur dhe të gjithë e kërkojnë. Normalisht ndiej kënaqësi dhe jam krenar për vlerësimin që më ka bërë klubi. I falënderoj për respektin, por dëshira ime është që këtë numër ta mbajë një lojtar i ri, i cili do t’i sillte klubit jo vetëm tituj kampionë, por edhe të ardhura.

Meqë keni dëshirën që numrin 10 ta mbajë një lojtar i ri, nëse do të ishte në dorën tuaj, cilit nga ekipi aktual do t’ia jepnit?
Kur jam tërhequr nga futbolli nuk e kam menduar fare këtë pjesën e numrit. Te Skënderbeu ka lojtarë që mund ta mbajnë numrin 10. Ndoshta mund t’i shkonte më shumë një lojtari të talentuar si Latifi.

Prej disa ditësh keni qenë në Itali, ku keni vëzhguar stërvitjet e skuadrës së Lacios. Na tregoni pak për përshtypjet?
Ishte dëshira ime që të ndiqja për një javë stërvitjen e Lacios. Falë edhe ndihmës së madhe të Igli Tares, të cilin e falënderoj shumë për mikpritjen, kam qenë rregullisht në proceset stërvitore të ekipit lacial. Mendova të shikoja se si përgatitet Lacio në prag të një ndeshjeje kampionati, duke nisur nga mënyra e komunikimit të trajnerit, përgatitjet taktike dhe të gjitha detajet. Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe mendoj se kam mësuar shumë gjëra.

A mund të na bëni një krahasim me realitetin shqiptar…?
Ndryshimi më i madh që vura re është serioziteti në punë. Kjo të bie direkt në sy, por ka edhe disa gjëra të tjera.

Shkembi 6 trofe

Të kalojmë te Skënderbeu. U largua Agostineli dhe u emërua Daja, si e komentoni?
Së pari dua të flas për Agostinelin. Duke qenë me Taren pata rastin të takoja shumë njerëz me peshë pranë Lacios dhe të gjithë kishin një mendim shumë të mirë për trajnerin Agostineli. Ndërsa për sa i përket ndryshimit që u bë te Skënderbeu, edhe unë jam i mendimit se ishte momenti që duhet të ndodhte. Agostineli, edhe pse është trajner i mirë, nuk arriti të shkrihej me ekipin dhe klubin për të marrë ato rezultate që priten. Gjithsesi, fajtori i ecurisë jo të mirë te Skënderbeu nuk ishte trajneri, por të gjithë nga i pari tek i fundit. Tashmë me trajnerin Daja, duke njohur mentalitetin shqiptar, të lojtarëve, klubit dhe kundërshtarëve, besoj se ekipi do të ecë mirë.

Të shumtë janë specialistët që mendojnë se Skënderbeut iu prish stili i lojës që pas tërheqjes suaj. Çfarë pret të ndodhë tashmë?
Nuk është se ika unë dhe ndodhi kjo, por duke qenë se me mënyrën e lojës që kisha unë dhe pozicionin, Skënderbeu kishte krijuar një fizionomi. Përveç meje, më duhet të theksoj se nga skuadra ikën edhe 3 lojtarë të tjerë të rëndësishëm, kështu që kjo pati ndikimin e vet. Tashmë shpresoj që mesfushori që u afrua së fundmi, Predesku, të tregojë aftësitë që unë kam pasur në rolin e organizatorit. Nëse do të përshtatet shpejt, sigurisht pres një skuadër më të fortë. Vazhdoj të mendoj se të paktën me emra, Skënderbeu ka lojtarët më të mirë të kampionatit.

Së fundmi, si i keni parë lëvizjet në merkato të pretendentëve për titull dhe kush mendoni se do të jetë favorit për të qenë kampioni?
Sinqerisht Partizanin e shikoj një skuadër shumë të fortë. Për momentin, nga ekipet që luftojnë për titull, të kuqtë i shoh më të fortë se Skënderbeu. Duke mos i hequr meritat edhe Kukësit, që është i pari në renditje, unë mendoj se Partizani është pretendenti kryesor për të fituar titullin kampion. Të paktën, me atë që gjykoj unë në këto momente, duke parë merkaton që ka bërë dhe rikthimin në formë të Mazrekajt, i cili do të jetë “blerja” më e mirë, shoh një Partizan favorit.

Bledi Shkembi studio
“Klubi nuk më ka thënë për fanellën”
Edhe pse klubi i Skënderbeut nuk e ka përdorur fanellën me numrin 10 gjatë këtij sezoni, sërish drejtuesit nuk e kanë njoftuar ish-kapitenin Bledi Shkëmbi për këtë vendim. “Këtë e kam mësuar vetëm nga mediat, nuk kam folur me drejtuesit. Megjithatë, fakt është se që prej largimit tim, nuk e ka mbajtur më njeri si numër. Sigurisht që ndihem mirë, por siç e thashë edhe më lart, edhe nëse do ta mbante dikush, do të mendoja njësoj për klubin”, ka treguar ish-fantazisti korçar, i cili me fanellën e Skënderbeut fitoi gjashtë tituj radhazi.

“Dua të bëhem trajner, por nuk nxitohem”
I pyetur se kur e mendon të bëjë hapin tjetër në karrierë, duke nisur trajningun, Bledi Shkëmbi jep këtë përgjigje: “Dëshira të bëhem trajner është e madhe, por asnjëherë nuk dua të bëj hapa të nxituar. Po përgatitem dhe do të hedh hapat gradualisht. Jam i kënaqur edhe me këtë që po bëj aktualisht në ‘SuperSport’ në rolin e analistit. Çdo javë që kalon më pëlqen, por ndoshta mund të kuptoj me kalimin e kohës që edhe mund të mos bëhem dot trajner ose më saktë të marr përsipër këtë detyrë. Do ta shoh me seriozitet nëse mund ta bëj trajnerin”./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: