Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) ka publikuar dy video që tregojnë një shkëmbim të papritur të të burgosurve mes SHBA-së dhe Rusisë, i cili u ndërmjetësua nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shkëmbimi u zhvillua të enjten në aeroportin e Abu Dhabit dhe u raportua fillimisht nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe.
Moska liroi Ksenia Karelina, një shtetase amerikano-ruse e burgosur për donacione për një bamirësi që mbështet ushtrinë ukrainase, ndërsa Uashingtoni liroi Arthur Petrov, një shtetas gjermano-rus i arrestuar për eksportimin e mikroelektronikës së ndjeshme.
Karelina po vuante tashmë një dënim 12-vjeçar në një burg rus, ndërsa Petrov mund të përballej me 20 vjet në një burg amerikan pasi u ekstradua nga Qipro.
Ndërsa Kremlini nuk pranoi të komentojë mbi shkëmbimin, një zëdhënës i CIA-s tha se ai “tregon rëndësinë e mbajtjes së linjave të komunikimit të hapura me Rusinë, pavarësisht sfidave të thella në marrëdhëniet tona dypalëshe”.