Nga REXHEP QOSJA

Çështja e Veriut të Kosovës dhe çështja e Maqedonisë Perëndimore nuk janë çështje të njëjta. Ka ndryshim në përbërjen e tyre dhe në historinë e tyre si çështje. Në rastin e Veriut të Kosovës, domethënë të Mitrovicës Veriore, flitet për shkëmbim territori me Luginën e Preshevës e në rastin e Maqedonisë Perëndimore flitet për bashkimin e saj me Shqipërinë a me Kosovën. Për mundësitë e këtilla nuk flasin vetëm shqiptarë, por flasin edhe analistë dhe gjeostrategë perëndimorë, kryesisht amerikanë.

Për mundësitë e këtilla, domethënë për ndryshime kufijsh shtetërorë, që mund të bëhen në Evropë herdokurdo, folën këto ditë edhe disa nga mediat tona, por folën gabimisht: duke ua dhuruar mendimet e tilla disa mediave ruse a serbe e jo atyre që i kanë paraqitur jonjëherë të parët: analistëve dhe gjeostrategëve perëndimorë. Këto ndryshime kufijsh mund të ndodhin sado jo shumë shpejt dhe me to – me bashkimin e Maqedonisë me Shqipërinë a me Kosovën dhe të Luginës së Preshevës me Kosovën e, mandej të Kosovës me Shqipërinë, do të ndreqej padrejtësia e madhe historike që i është bërë popullit Shqiptar.

DY SHTETE AMË
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Maqedonisë, e të Malit të Zi tani ekzistojnë dy shtete amë: Shqipëria shtetërore dhe Kosova. Mjerisht është e vërtetë se këto dy shtete nuk po interesohen sa duhet e si duhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pjesërisht i kuptoj: u duhet të sillen ndaj tyre ashtu siç i këshillojnë, të mos them siç kërkojnë prej tyre, faktorët ndërkombëtarë, që nuk janë pa një sovranitet në Shqipëri dhe në Kosovë sot.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë të kërkojnë që të interesohen më shumë për ta si Kosova ashtu edhe Shqipëria, por punët më të mëdha për veten duhet t’i bëjnë vetë. Dhe, ata po i bëjnë këto punë. Tani për lapidarin e UÇPMB, të cilin Serbia vandalisht e zhvendosi prej vendit ku ishte vënë dhe e çoi në depot e lëndëve të saj të ndryshme, Shqipëria dhe Kosova mund të bënin më shumë se ç’bënë.

Por, për atë lapidar dhe mbajtjen e tij aty ku ishte vënë, nuk bënë çka do të duhej të bënin as vetë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Mbas kërcënimeve të Serbisë se do ta heqë lapidarin ata do të duhej ta prisnin policinë serbe duke qenë rreth lapidarit, duke qenë rreth lapidarit edhe burra edhe gra, të vetëdijshëm se Serbia nuk do të guxonte ta përgjakte atë lapidar e as tokën ku ishte vënë ai. Dhe në atë mënyrë, duke mbrojtur lapidarin ata do të mbronin edhe disa vlera e disa qëllime të rëndësishme, shumë të rëndësishme për ardhmërinë e tyre.

* Pjesë nga intervista e akademikut të njohur Rexhep Qosja, botuar në “Gazetën Shqiptare” në shkurt 2013, ku ai mbështet idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Një debat i madh u ngrit kohët e fundit mbi një rideklarim të Qosjes mbi këtë temë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb