Nga: JETON SELIMI *

TIRANE-Plaku-Pejiç, pa dyshim dyshja më e mirë sulmuese e 5 viteve të fundit në futbollin shqiptar! Së bashku udhëhoqën Skënderbeun drejt titullit të tretë kampion, duke dominuar gjerë e gjatë ndaj rivalëve. Tashmë Sebino Plaku ndodhet në Tiranë dhe është pranë shkëputjes nga Slask Vroklava i Polonisë. Dëshira e tij? Të firmosë me Skënderbeun, por për Ardjan Takajn nevojitet diçka më shumë sesa vullneti i lojtarit, pasi për të marrë shërbimet e Plakut, në valle janë futur edhe Kukësi dhe Shkëndija e Tetovës. E të mendosh që kampionati është mbyllur të dielën e shkuar…
Andi Matraxhiu, agjenti i lojtarit të Slaskut, shprehet se janë të vërteta zërat e nisjes së bisedimeve mes tij dhe klubeve të superiores. Matraxhiu pohon se klubet shqiptare që kanë bërë një hap përpara në bisedimet me lojtarin që ai asiston, janë Skënderbeu dhe Kukësi, ndërsa rrëfen se nga Tetova ka ardhur edhe një ofertë konkrete, por që me sa duket është refuzuar nga Sebino Plaku. Lehtësisht e kuptueshme që Shkëndijës i duhet të bëjë një sforco më shumë nëse do shërbimet e sulmuesit. “Sebino është në Tiranë. Kam pasur bisedime telefonike me zyrtarë të Kukësit dhe të Skënderbeut. Por edhe Shkëndija e Tetovës ka hedhur një hap, duke paraqitur një ofertë zyrtare, por që nuk është aty ky lojtari kërkon”, – pohon Andi Matraxhiu. Më pas, menaxheri bën me dije edhe situatën se ku kanë ngecur bisedimet me ekipet shqiptare. Oferta zyrtare nuk ka ende, por natyrisht që telefonat nuk peshojnë. Në garë është dëshira e lojtarit dhe dëshira e Gjicit. E para shkon në Korçë, aty ku Plaku ka kujtime të ëmbla dhe ndihet mirë, ndërsa e dyta shkon në Kukës, aty ku presidenti Safet Gjici në jo pak raste ka dëshmuar se e eliminon konkurrencën me gjuhën e ofertave të majme. Ëndrra e tij, Pero Pejiç dhe Sebino Plaku, së bashku edhe njëherë për të fituar një titull kampion, kësaj radhe me Kukësin. Të paktën ky është optimizmi që ka kapur tifozërinë verilindore këto ditë. Gjithsesi, Matraxhiu frenon entuziazmin e tyre. “Lojtari është në pritje të ofertave zyrtare, sepse më parë duhet të vlerësojë ofertat këtu që të procedojë në krahun tjetër, sepse është në proces gjyqësor me Slaskun, pasi nuk ka pranuar që të ulë rrogën. Gjithsesi, zgjedhja e parë është Skënderbeu”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb