TIRANË
Një ngjarje e frikshme ka ndodhur në një pallat në rrugën “Don Bosko” në kryeqytet. Mësohet se ashensori i një prej pallateve në këtë zonë është këputur duke pasur brenda njerëz. Ashensori ka rënë nga kati i katërt, në të parin.
Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se brenda ashensorit ka qenë një vajzë e cila ka mbetur e plagosur. Vajza është transportuar në spital. Ndërkaq policia ka nisur hetimet për ngjarjen.
Një grup hetimor po verifikon kushtet teknike dhe mirëmbajtjen e ashensorit si dhe kompaninë që e ka instaluar dhe mirëmbajtur. Sipas dëshmive rënia e ashensorit ka shkaktuar shumë zhurmë, duke sjellë panik tek banorët që kanë njoftuar zjarrfikësen dhe policinë.
(m.k/BalkanWeb)