SHKODER-28 objekte muzeale në Shkodër rrezikojnë të shemben për shkak të amortizimit. Ky shqetësim është ngritur nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër, e cila ka hartuar dhe një listë, duke evidentuar ndërtesat që kërkojnë ndërhyrje emergjente. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, kreu i kësaj drejtorie, Besi Bekteshi tha se është detyrë e vetë pronarëve privatë të mirëmbajnë këto banesa. Ndërkohë, ai pohoi se është vënë në dijeni për situatën Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Bekteshi bëri të ditur se në fillim të vitit që vjen pritet të zbatohet një projekt për rikonstruksionin e Kalasë së Rozafës si dhe i disa banesave që janë pjesë e trashëgimisë kulturore.
Z.Bekteshi si paraqitet gjendja e këtyre ndërtesave, një pjesë e të cilave janë braktisur nga pronarët?
Situata është problematike, pasi është dimër dhe për shkak të reshjeve të shiut e borës këto banesa rrezikojnë të shemben.
Thirrja ime është që të vihet dorë nga pronarët. Ne si drejtori i kemi dërguar një shkresë zyrtare Institutit të Kulturës Kombëtare dhe Ministrisë së Kulturës për të ndërhyrë sa më parë.
Në cilat zona të qytetit ndodhen këto ndërtesa që ju i keni evidentuar?
Një pjesë e madhe e ndërtesave janë në qendrën historike në lagjen ‘Gjuhadol”. Por janë edhe disa ndërtesa, të cilat ndodhen në pika të ndryshme të qytetit, që kanë statusin e monumenteve të kulturës. Në fillim të vitit të ardhshëm, monumentet kulturore e muzeale në Shkodër do njohin një epokë të re. Ndër ta, më e rëndësishme mbetet ndërhyrja në Kalanë e Rozafës.
Është vënë në dijeni Ministria e Kulturës apo instancat e tjera përkatëse për këto raste dhe cila ka qenë përgjigja?
Ne kemi bërë databejzin e ri që përcakton kush janë dhe ku ndodhen ndërtesat e vjetra, duke vënë në dijeni Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës. Përgjigja ka qenë pozitive, pasi vitin e ardhshëm do nis një projekt ku ka të bëjë me rastaurtimin e monumenteve kulturore, ku përfshihen dhe këto objekte.
Përveç institucionit tuaj, a duhet edhe bashkia të vërë në lëvizje mekanizmat e saj?
Ne ende nuk kemi arritur një marrëveshje mes bashkisë dhe pronarëve të godinave. Zona muzeale e ‘Gjuhadolit’ lë shumë për të dëshiruar, pasi projekti që u investua nga Banka Botërore përfshinte shtrimin e rrugës me kalldrëm dhe restaurimin e fasadave, një pjesë e të cilave në gjendje të mjerueshme. Bashkia në atë kohë duhej të gjente gjuhën e përbashkët me pronarët.


 


(a.n/GSH/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: