SHKODËR – Policia belge ka shtënë në dorë sot 36-vjeçarin nga Shkodra Dorian Duli sëbashku me një pjesë të objekteve të vjedhura prej tij. Arrestimi u bë nga Policia e qarkut të Shkodrës me porosi të saj. Duli ishte pjesë e një grupi kriminal që kishte kryer vjedhje me armë në Belgjikë dhe në Greqi, grup që u godit në muajin tetor në qytetin e Shkodrës me bashkëpunimin edhe të policisë belge.

Policia e Shtetit njoftoi se gjatë ditës së sotme arrestoi 36-vjeçarin Dorian Duli, banues në Shkodër, person me precedentë të rëndë kriminalë brenda dhe jashtë vendit, duke ekzekutuar letërporosinë e autoriteteve belge të Gjykatës Luvër për kontrollin e shtëpisë së tij, me synim sekuestrimin e pasurive të vjedhura në Belgjikë.

Dyshohet se ky shtetas është pjesë e një krupi kriminal që ka kryer vjedhje me armë si jashtë dhe brenda vendit, grup i cili u godit në muajin tetor 2014 në bashkëpunim me autoritetet Belge. Po ashtu dyshohet që ky shtetas të këtë precedentë të rëndë kriminalë dhe në Greqi.

Ndërkohë Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë ka lejuar ekzekutimin eletërporosisë së autoriteteve belge për kontrollin e banesës. Dorian Duli, në momentin që forcat e policisë po ushtronin kontroll në banesën e tij ka tentuar të largohet nga pjesa e pasme e banesës private, por është kapur nga punonjësit e policisë.

Gjatë kontrollit në çantën e tij të shpinës nga strukturat e policisë janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale: tre arme zjarri pistoletë të tipit: TT, CZ, dhe pistoletë me Mulli me mbishkrimin Smith veson si dhe një armë gjahu Superpost me tytë të shkurtuar, tre krehra me fishekë, 80 copë fishekë kalibër 9 mm dhe 12 mm.

Në ambientet e brendshme dhe të jashtme të banesës, gjatë kontrolleve të ushtruara, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
13000 mijë euro të prerjeve të ndryshme,
700 mijë lekë të reja,
disa ora dore të shtrenjta, unaza material argjendi, disa aparate telefoni, kamera dhe aparate fotografike të markave të ndryshme,
pajisje shërbimi policie si jelek antiplumb, jelek policie, pranga, shkop gome, një tabelë me mbishkrimin Ministria e Rendit Publik-Policia Rrugore etj,
një armë gjahu e markës Benelli, kalibër 12 mm, një gjerdan me fishekë të kësaj arme gjahu,
automjeti tip Land Crysler me targe AA354JN,
automjeti Volksvagen Golf–4 me targe AA481JP si dhe një motoçikletë pa targa.

Duli do të ndiqet më tej nga Prokuroria e rrethit Gjyqësor Shkodër si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë lidhur me ekzekutimin e letërpororisë mbi pasuritë e sekuestruara.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb