SHKODER – Banorët e fshatit Rragam në Shkodër kanë protestuar sot duke kërkuar rikthimin e energjisë elektrike. OSHEE bën të ditur se energjia në fshatin Rragam është stakuar, pasi 27 banorë rezultojnë debitorë. Sipas OSHEE, nuk bëhet fjalë për ndërprerje kolektive por vetëm abonentëve debitorë. Por, banorët thonë se matësit e energjisë nuk janë kontrolluar prej 1 viti, ndërsa faturat për muajin janar kapin vlerën e mbi 30 mijë lekëve.

Ata kanë kërcënuar se do të përshkallëzojnë protestat deri në bllokimin e rrugëve kryesore, nëse OSHEE nuk u rikthen energjinë.
“Ka mbi 1 vit që nuk na kanë kontrolluar matësit. Nuk kanë sjellë asnjëherë fatura, veç në janar. Faturat për janarin kapin vlerën mbi 30 mijë lekë. Ka gjoba që shkon deri në 8 milionë lekë, s’i paguajmë dot”- shprehen banorët.

Por nga ana tjetër Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sqaron se këta banorë rezultojnë me një debi prej 8.434.157 lekë.

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHEE sqaron se nisur nga lajmi i dhënë në media për protestën e banorëve në fshatin Rragam të Shkodrës, në këtë fshat rezultojnë debitorë 32 abonentë. Nga këta abonentë, vetëm 5 prej tyre  kanë lidhur Akt marrëveshje me OSHEE, ndërsa 27 të tjerë nuk kanë paguar dhe as nuk kanë hyrë në aktmarrëveshje me kompaninë. Në total, debia që 27 abonentë në fshatin Rragam kanë ndaj kompanisë OSHEE, është 8.434 157 lekë. Nisur nga kjo situatë, grupet e punës së OSHEE, dega rajonale Shkodër kanë ndërprerë energjinë për debitorët që nuk kanë paguar detyrimet e tyre. Theksojmë se nuk ka pasur stakim të energjisë dhe as ndërprerje kolektive të energjisë elektrike. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i bën thirrje këtyre banorëve debitorë që të hyjnë në aktmarrëveshje me kompaninë për të përfituar nga skema lehtësuese e shlyerjes së detyrimeve, duke u kujtuar se afati i fundit është data 28 shkurt. Në lidhje me keqfaturimet, ftojmë abonentët që të paraqesin në zyrat e kujdesit ndaj klientit ankesë-kërkesat e tyre përsa i takon pretendimeve të tyre”, thuhet në deklaratën e OSHEE-së.
(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: