Nga MIRSAD RAKAJ*

Dy gra të moshuara dje janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, pasi kanë pasur probleme shëndetësore. Mësohet se dy pacientet kanë mbërritur në gjendje shoku, me luhatje tensioni, debulesë dhe shtrëngime të forta në kraharor.

Bëhet fjalë për 65- vjeçaren Taze Kulli nga fshati Pistull i Komunës Hajmel dhe 76-vjeçaren Fatime Bajraktari nga fshati Kullaj i Komunës së Postribës të këtij rrethi. Ndërkohë, ato kanë deklaruar se gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar për shkak të faturave të “kripura” të energjisë elektrike. Pasi ka parë shumën prej 300 mijë lekësh të reja në faturë, që i ishte dërguar në shtëpi, gjendja shëndetësore e Kullit është përkeqësuar menjëherë. Nga spitali ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, 65-vjeçarja dje pohoi për “Gazeta Shqiptare” se është tejet e tronditur.

“Isha në shtëpi duke ngrënë bukë, kur faturisti trokiti në derë. Ai la faturën e dritave dhe iku pa dhënë asnjë shpjegim. Kur pashë shumën e madhe të lekëve në faturë u tmerrova. Nuk po më mbanin këmbët. Unë nuk e kam konsumuar atë shumë që më ka ardhur. Kjo është e padrejtë. Nuk jam debitore, pasi djali im muaj për muaj i paguan dritat. Habitem me këtë që po na ndodh”, tha e moshuara. Ndërkohë, ajo deklaroi se “nëse shteti nuk merr masa, atëherë do të vetëflijohem.

GRA

Nuk kam rrugë tjetër, pasi të gjithë pjesëtarët e familjes janë të papunë”. Të njëjtën tronditje ka pësuar edhe 76-vjeçarja Fatime Bajraktari, e cila jeton në shtëpi vetëm me njërën nga vajzat. Teksa ka shkuar të paguajë energjinë elektrike pranë sporteleve të OSHEEsë, e moshuara ka mësuar se shuma që duhej të paguante ishte 400 mijë lekë të reja dhe se rezulton të jetë debitore.

Në moment, 75-vjeçarja ka pësuar debulesë dhe shtrëngim në gjoks. Ajo është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës me një automjet të rastit. Me lot në sy dhe me gjysmë zëri, Fatime Bajraktari u shpreh se ka paguar faturat e dritave muaj për muaj dhe kjo provohet nga firmat e hedhura në librezë. “Më mirë të më vrasin, pasi nuk mund ta paguaj atë shumë që më kanë vënë padrejtësisht”, deklaroi 75-vjeçarja. Vetëm pak ditë më parë u arrestua kryefamiljari Naim Dyli nga Shkodra, pasi rilidhi energjinë elektrike për t’i ardhur në ndihmë djalit të tij 7 vjeçar që vuante nga astma.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb