SHKODER- Lirohet shtetasi që prej një jave mbahej peng në këmbim të 10 mijë eurove për të rifituar lirinë. Policia e Shkodër në bashkëpunim me FNSH Shkodër njofton se ka mundur të lirojë S.K, që mbahej peng që prej 21 nëntorit. Pasi hapën zjarr ndaj policisë, në pranga u vunë tre autorët dhe u shpallën në kërkim 4 të tjerë, të cilët mundën ti shpëtojnë forcave të policisë për shkak të shkëmbimit të zjarrit, terrenit shumë të vështirë dhe kushteve shumë të vështira klimaterike me reshje borë.

Dje rreth orës 18.30, si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar nga policia, në fshatin Plan, Pult të zonës Dukagjin, Shkodër, është bërë e mundur lirimi i pengut S.K i cili mbahej peng që më datën 21.11.2015.

Ne pranga u vunë pengmarrësit:
– Tomë Shkepa, 32 vjeç, banues në fshatin “Omaraj” njësia administrative Gruemirë, bashkia Malesi e Madhe
– Lek Shkepa, 36 vjeç, banues në fshatin “Omaraj” njësia administrative Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe,
– Kolë Dushku, 22 vjeç, banues në fshatin “Plan­Gjuraj” Njësia Administrative Pult, Bashkia Shkodër.

Ndërkohë qe u shpallen në kërkim shtetasit:
P. Dushku, 35 vjeç; P. Dushku, 20 vjeç; L.Vala, 20 vjeç; F. Vala, 21 vjeç, banues ne fshatin Gjuraj, Njësia Administrative Pult, Bashkia Shkodër.

PENGMARRJA PËR LEKËT E DROGËS
Më datë 21.11.2015, në bashkëpunim me njëri­tjetrin kanë marrë peng në qytetin Shkodër, shtetasit S.K dhe A.K, ku më pas shtetasin A.K e kanë lëne të lirë me qëllim gjetjen e shumës prej 10 mijë eurosh në këmbim të lirisë së vëllait të tij.

Pengu u mbaj në fshatin ”Plan”, Njësia Administrative Pult, Bashkia Shkodër deri në mbrëmjen e datës 27.11.2015, i cili u lirua pas operacionit të policisë.

“Arsyeja e pengmarrjes dyshohet të jetë ndërmjetësimi që ky shtetas kishte bërë me disa shtetas të tjetër të cilët u kishin blerë lëndën narkotike shtetasve të sipërpërmendur dhe s’ju kishin dhënë lekët”, njofton policia.

Operacioni për lirimin e pengut u zhvillua në një terren të thyer malor dhe me dëbore ku në momentin e lirimit të pengut, pengmarrësit kanë shkëmbyer zjarr dhe duke përfituar nga terreni i vështirë dhe kushtet e vështira klimaterike disa nga pengmarrësit kanë arritur të largohen, duke ju fshehur forcave të policisë të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën 15 gëzhoja, model 56, kalibër 7.62, si dhe 275 gram lëndë bimore e dyshuar kanabis sativa.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës Së Shkallës së Parë Shkodër në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprën penale të «Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit, kryer ne bashkëpunim», parashikuar nga nenet 109 – 25 te Kodit Penal.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: